13:47 / E Enjte, 02 Maj 2024 / S Z

Cilat shtete e kanë bllokuar Tik-tok-un

SHBA-ja dhe BE-ja i kanë vënë limite platformës Tik-tok, por këto qeveri nuk janë as të vetmet, as të parat. Në fakt, edhe vetë Kina e ka limituar platformën mjaft të përhapur të videove të shkurtra.

Senati i SHBA-së tashmë ka miratuar legjislacionin, që i kërkon kompanisë kineze Tiktok të lejojë kontrollimin e të dhënave të amerikanëve nga një kompani vendase, gjë për të cilën kanë një afat nëntë-mujor; në rast të kundërt platforma do të bllokohet në mbarë vendin.

Arsyeja? Kompania “byte dance” është e influencuar nga qeveria kineze dhe senati i trembet mundësisë reale që Byte Dance t’i japë regjimit të dhëna sensitive të qytetarëve amerikanë. Kompania fuqimisht e mohon përzjerjen e saj me regjimin në Pekin, por ligji i sipërpërmendur është firmosur tani nga presidenti Biden.

Ndërsa në Europë ka një perspektivë tjetër mbi arsyet se përse duhet limituar platforma: Diskutimi këtu është mbi efektet negative që ka kjo platformë dhe mbi varësinë e dëmet e tjera psikologjike që shkakton, veçanërisht tek më të rinjtë.Si rrjedhojë në BE janë hequr tipare të platformës, përshembull funksioni “Spinoff”në Tik-tok light mes të cilit përdoruesit fitonin karta për blerjen e produkteve reale nëse videot e tyre klikoheshin shumë.

Vendet që kanë bllokuar përfundimisht Tik-tok-un

Fqinji i Kinës, India, ishte vendi i parë që e mbylli përfundimisht platformën së bashku me rreth 60 aplikacione të tjera të prodhuara në Kinë. Shtysë e parë për këtë u bë një konflikt ushtarak mes vendeve në zonën e Himalajeve. Mbyllja e plotë e aplikacionit qendron që në 2020, dhe motivi është siguria e të dhënave personale të qytetarëve indianë.

Vendet ku Tik-toku është i ndaluar

Arsyet morale ishin motivi për bllokimin total të Tik-tokut në Afganistan në vitin 2022, një vit pasi talebanët rimorën kontrollin e vendit. As qytetarët e Iranit nuk mund ta përdorin aplikacionin.

Në Iran thonë se Tik-tok-u ka bllokuar IP-të iraniane, por në fakt Irani ka bllokuar thuajse të gjitha platformat e rrjeteve sociale; si YouTube, X, Instagram, facebook dhe Telegram. Tik-tok-u është bllokuar për arsye të ngjashme edhe nga qeveritë e Kirgistanit, Uzbekistanit, Nepalit dhe Somalisë.

Vendet ku Tik-tok-u është pjesërisht i limituar

Thuajse të gjitha shtetet ku Tik-tok-u është i limituar thonë, se e bëjnë këtë për të mbrojtur shtetasit e tyre; si nga abuzimi me të dhënat, lajmet e rreme dhe propaganda, edhe nga pasojat psikologjike që vijnë për shkak të varësisë.

Ndaj jo të gjitha vendet e ndalojnë plotësisht aplikacionin. Pakistani për shembull, e ka bllokuar disa herë përkohësisht programin për përmbajtje fyese, dhe më pas, kur kompania ka riorganizuar filtrat, aplikacioni është lejuar sërish.

Në Rusi p.sh. përmbajtje e papërshtatshme është çdo video që mund të pasqyrojë pushtimin e Ukrainës në një këndvështrim tjetër nga ai i Kremlinit. Ndërsa në Kinë, aplikacioni është i bllokuar në pajisje celulare që s’janë prodhim kinez, në mënyrë që të përdoret vetëm versioni i lejuar në vend. Edhe shtete të tjera e kanë bllokuar përkohësisht Tik-tok-un, si për shembull Azerbaixhani më 2020, kur konflikti me Armeninë arriti kulmin; apo Senegali në 2023, fill pas arrestimit të politikanit opozitar Ousmane Sonko./DW