10:25 / E Premte, 26 Maj 2023 / B O

Dalin pamjet e sirianëve që shkrepën plumba dje në drejtim të Policisë së Kosovës

Pesë shtetas sirianë dhe një algjerian kanë rënë në prangat e Policisë shqiptare, në fshatin Morinë, pasi dyshohet se janë pjesë e një grupi që trafikonte emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta. Në kërkim është shpallur dhe një shtetas tjetër algjerian.

Në komunikatën zyrtare, Policia e Shtetit ka nxjerr disa nga fotot e sirianëve të arrestuar, ndërsa thotë se në këtë operacion të gjerë janë ndihmuar dhe nga homologët e Policisë së Kosovës.

Në fshatin Morinë, në kufirin e gjelbër me Kosovën, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar grupin e shtetasve të huaj që ushtronte veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Shërbimet e Policisë iu kanë bërë thirrje këtyre shtetasve që të ndalojnë, por disa prej tyre kanë hapur zjarr në drejtim të efektivëve duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Menjëherë është komunikuar me Policinë Kufitare të Kosovës, me qëllim bllokimin e kufirit në anën e Kosovës.

Pas disa orësh ndjekje, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e 6 prej tyre.

-A. B., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane, si dhe M. N., 25 vjeç, N. A., 20 vjeç, M. Sh., 21 vjeç, M. R., 20 vjeç dhe R. L., 40 vjeç, të pestë me shtetësi siriane. Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u shpall në kërkim shtetasi S. G., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës i arrestuan këta shtetas në flagrancë për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Operacioni “Strukturimi” vijon për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit algjerian të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.