15:10 / E Martë, 30 Prill 2024 / S Z

U.D. Kryeprokurori i Shtetit takohet me shefin e EULEX-it, flasin për ruajtën e pavarësisë institucionale dhe reformën në drejtësi

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi ka pritur në takim pune Shefin e Misionit të EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano.

Gjatë këtij takimi,  U.D. Kryeprokurori i Shtetit dhe Shefi i Misionit të EULEX-it kanë zhvilluar diskutime të frytshme lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me  forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Konkretisht në këtë takim u diskutua edhe për mbështetjen e EULEX-it në ruajtën e pavarësisë institucionale, si dhe ecurinë dhe sfidat në zbatimin e deklaratës së përbashkët të zotimit lidhur me reformën në drejtësi.

Poashtu, në këtë takim u diskutua edhe për menaxhimin e situatës dhe mbarëvajtjes së punës në Prokurorinë Themelore në Mitrovicës pas ofrimit të dorëheqjeve të prokurorëve të nacionalitetit serb.

Bashkëbiseduesit patën diskutime edhe për luftimin e veprave penale që ndërlidhën me pastrimin  e parave, nevojën për rritjen e numrit dhe mbështetjes për mbrojtësit e viktimave të krimit, si dhe çështje të tjera profesionale me interes të përbashkët.

U.D. Kryeprokurori Kelmendi ka vlerësuar rolin, përkushtimin dhe mbështetjen e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhënë në vazhdimësi për institucionin e Prokurorit të Shtetit, me ç’rast ka shprehur gatishmërinë e tij për thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen me qëllim të arritjes së sukseseve të përbashkëta.