22:04 / E Premte, 01 Prill 2022 / MSH

Diabeti dhe agjërimi në muajin e Ramazanit

Me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, shumë besimtarë të fesë islame vendosin t’u dedikohen ritualeve fetare.

Doktoresha Venera Berisha-Muharremi ka dhënë disa këshilla për të gjithë ata që vendosin të agjerojnë por që kanë diabet.

“Agjërimi gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe është i detyrueshëm për të gjithë të rriturit muslimanë, me grupe të caktuara të përjashtuara, duke përfshirë disa njerëz me sëmundje kronike si diabeti. Pavarësisht se janë potencialisht të përjashtuar, shumë njerëz me diabet zgjedhin të agjërojnë” ka thënë ajo për Indeksonline.

Doktoresha gjithashtu ka thënë se shumë myslimanë që kanë diabet, zgjedhin të agjerojnë, me gjithë ndikimin e Ramazanit në menaxhimin e sëmundjes.

“Vlerësimet sugjerojnë se ka mbi 150 milionë myslimanë me diabet në mbarë botën. Prandaj, Ramazani ka një ndikim të madh në menaxhimin e diabetit në popullatën myslimane. Për shkak të natyrës metabolike të gjendjes, njerëzit me diabet janë në rrezik të veçantë të komplikimeve nga ndryshimet e theksuara në ushqimin dhe marrjen e lëngjeve” ka shtuar Berisha-Muharremi.

Më poshtë janë disa këshilla dhe informacione mbi agjerimin e personave me diabet.

Agjërimi te personat me diabet mund të çojë në komplikime që përfshijnë:

•Glikemia e ulët (niveli i ultë i sheqerit në gjak – hipoglikemia)

•Glikemia e lartë (niveli i lartë i sheqerit në gjak – hiperglicemia)

•Dehidratim

•Ketoacidoza diabetike (DKA), te njerëzit me diabet të tipit 1

Prandaj është e rëndësishme që vendimi për agjërimin të merret në baza individuale në konsultim me Endokrinologun -Diabetologun, duke marrë parasysh ashpërsinë e sëmundjes dhe nivelin e rrezikut individual.

DISA KËSHILLA PËR NJË RAMAZAN TË SHËNDETSHËM ME DIABET

Konsultojuni dhe dijeni rrezikun tuaj përpara se të vendosni të agjëroni!

Nëse mjeku juaj këshillon të mos agjëroni, do të merrni të njëjtin Thawab (shpërblim).

Kontrolloni rregullisht glukozën në gjak

Monitorimi i glukozës në gjak dhe injeksionet e insulinës nuk e prishin agjërimin dhe janë të rëndësishme. Ato janë dritarja juaj për të njohur nivelet e glukozës në gjak dhe për të menaxhuar diabetin tuaj. Ndryshimet në zakonet e të ngrënit gjatë Ramazanit mund të ndikojnë në glukozën tuaj në gjak dhe për këtë arsye është e rëndësishme të kontrolloni rregullisht nivelet e glukozës në gjak.

•Njerëzit me rrezik shumë të lartë (edhe nëse nuk janë agjërues) duhet të kontrollojnë nivelet e glukozës në gjak 3-4 herë në ditë

•Njerëzit me rrezik të moderuar ose të ulët duhet të kontrollojnë nivelet e glukozës në gjak 1-2 herë në ditë.

TERAPIA GJTË AGJËRIMIT

Bisedoni me mjekun tuaj për rregullimet e nevojshme për dozën, kohën ose llojin e mjekimit për të reduktuar rrezikun e sheqerit të ulët në gjak.

Është e rëndësishme të dini se matja e glukozës në gjak dhe injektimi i insulinës nuk do ta prishin agjërimin tuaj.

Kur të prishet agjërimi dhe të hani?

Të gjithë njerëzit me diabet DUHET ta ndërpresin agjërimin nëse:

Glukoza në gjak është më e ulët se 3,9 mmol/L.

Rikontrolloni përsëri brenda një orë nëse glukoza në gjak po ngritet mbi 3,9 mmol/L!

Glukoza në gjak është më e lartë se 16,6 mmol/L

Shfaqen simptoma të hipoglikemisë, hiperglicemisë, dehidrimit ose sëmundjes akute

USHTRIMET GJATË AGJËRIMIT

Kryeni ushtrime të rregullta të lehta deri në mesatare. Ushtrimet rigoroze nuk rekomandohen gjatë agjërimit për shkak të rritjes së rrezikut të ramjes të nivelit të glukozës në gjak dhe/ose dehidrimit. Përpjekjet fizike të përfshira në namazet e teravive, të tilla si përkulja, gjunjëzimi dhe ngritja, duhet të konsiderohen pjesë e aktiviteteve tuaja të përditshme ushtrimore.

Kur mbaron muaji i Ramazanit

Shmangni ngrënien e tepërt (veçanërisht ëmbëlsirat) gjatë Fitër Bajramit, pasi mund të çojë në nivele të larta të glukozës në gjak. Vizitoni mjekun tuaj për të marrë udhëzime për ndryshimin e ilaçeve në orarin e mëparshëm.

DISA KËSHILLA PËR USHQIMIN PËR PERSONAT ME DIABET GJATË RAMAZANIT

Ndani kaloritë ditore mes syfyrit dhe iftarit, plus 1-2 zamra apo messhujta nëse është e nevojshme në mes.

Sigurohuni që dy racionet kryesore, syfyri dhe iftari të jenë të balancuara mirë, me:

45-50% karbohidrate

20-30% proteina

<35% yndyrë

Gjatë syfyrit dhe iftarit zgjedhni shumë perime dhe sallata.

Frutat hani në mes tyre si zamra dhe jo menjeherë pas racionit të syfyrit apo iftarit.

Në vend të bukës së bardhë dhe brumërave tona tradicionale përdorni ushqime me indeks të ulët glicemik dhe me fibra të larta që lirojnë energji ngadalë para dhe pas agjërimit (bukë me drithëra integrale, fasule, orizintegral, etj)

Minimizoni ushqimet që janë të pasura me yndyrna të ngopura por përdorni sasi të vogla vaji gjatë gatimit (ulliri, vajra farërash).

Qëndroni të hidratuar në ose ndërmjet dy vakteve kryesore duke pirë ujë dhe jo duke pirë lëngje frutash apo pije tjera të çfardolloji.