18:13 / E Enjte, 24 Janar 2019 / indeksADMonline

Dilema e zgjerimit: Bashkimi Europian dhe Shqiptarët

Shkruan: Zafir Berisha

Në së paku tri apo katër vitet e fundit, Bashkimi Europian ka pësuar lëkundje të madhe. Ndoshta kjo ishte kriza më e madhe që nga themelimi i saj. Dalja e Britanisë së Madhe nga Unioni, bllokimi i zonës shengen nga disa shtetet anëtare të BE-së, kriza e refugjatëve nga Siria, sulmet serike terroriste si dhe acarimi me Turqinë, krijuan këtë krizë të thellë politike të Bashkimit Europian.

Kjo krizë është shfrytëzuar si nga brenda ashtu edhe nga jashtë Bashkimit Europian. Kriza politike e BE-së e ka rritur faktorizimin politik të Rusisë dhe ka rikthyer klimën e nacionalizimit në shtetet anëtare i cili për një moment dukej se ishte kaluar.

Rezultati i kësaj krize ka prodhuar ‘Euro-skepticizmin’ apo dilemën e zgjerimit të Bashkimit Europian. Kjo kështu sepse fajin e kësaj krize nuk e morrën shtetet e fuqishme që udhëheqin BE-në por atë ia lanë emigrantëve apo të huajve të cilët akuzoheshin për destabilizmin e shteteve europiane. Anëtarësimi i Rumanisë, Bullgarisë dhe Greqisë si shtete me probleme të mëdha nga brenda dhe problematike me fqinjët i morri shumë energji diplomacisë europiane, pranimi i këtyre shteteve në BE konsiderohet gabim. Këto janë disa nga arsyet përse zgjerimi i mëtejëm i BE-së është në diskutim dhe është vënë në dilemë.

Sot është konfirmuar se nën udhëheqjen e Rumanisë, Presidenca e Bashkimit Europian e ka hequr nga axhenda e saj së paku përkohësisht zgjerimin e Bashkimit Europian, veçmas të Ballkanit Perendimor.

Për shqiptarët si popull me dy shtete në Ballkanin Perendimor që synojnë integrimin në Bashkimin Europian, çdo krizë brenda BE-së që vë në pikëpyetje zgjerimin e saj është shqetësuese. Sa herë që i gjithë Ballkani ka qenë pa vëmendje të Perendimit ky rajon ka qenë vend i luftrave dhe stagnimit.

Bota shqiptare në Ballkan e ka një mundësi historike që si popull me dy shtete dhe me pakica etnike në katër shtetet tjera fqinje të modernizohet dhe të zhvillohet përmes integrimit në Bashkimin Europian. Çdo vonesë në rrugën e këtij integrimi, qoftë si shtete të ndara qoftë të bashkuar në një shtet është e gabuar.

Integrimi në BE për Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe për gjithë rajonin do të thotë zhvillim të gjithëmbarshëm shtetëror e shoqëror. Konkretisht do të thotë, një treg më të madh ekonomik, një siguri më të lartë, demokratizim të jetës shoqërore, përparim të shkencës, mbi të gjitha një paqe dhe siguri të qëndrushme. Pa këtë integrim, popujt e shtetet tona do të ju duhen shekuj të tërë për ta arritur të vetme.

Unioni Europian është ndërtuar para se gjithash mbi vlerat e demokracisë liberale të qarkullimit të lirë të ideve e njerëzve, të bashkëjetesës, të tolerancës dhe të respektimit të diversitetit. Unioni është projektuar si bashkim fillimisht i njerëzve pastaj i ekonomive, ushtrive dhe politikës të shteteve të ndryshme. Kështu, çdo mbyllje e BE-së për zgjerim, është dëmtim njerëzor jo vetëm politik i të tjerëve.

Të gjithë duhet ta dimë se çfarë ndodhë brenda BE-së është e rëndësishme edhe për ne sepse atje varet e ardhmja e popujve tanë dhe rajonit.