17:07 / E Premte, 17 Prill 2020 / indeksADMonline

Filantropizmi i shoqërisë kosovare

Shkruan: Florent Rrahmani – sociolog

(Anton Kolë Berishaj: “Filantropia në Kosovë”, 2010, Prishtinë)

Ç’është filantropia? Nga i ka rrënjët? Sa na duhet? A është virtyt i shoqërisë? A zhvillohet si borxh e ndjenjë e brendshme morale apo si pjekje individuale e kolektive?

Njerëzimi vzzhdon të sfidohet edhe sot nga pyetje të tilla sado që janë pyetje që kanë marrë një lloj përgjigjeje nga shoqëri të ndryshme, në kontekste të ndryshme, nga lashtësia deri më sot. Pra ato vazhdojnë të jetojnë në kohë, duke u riformuluar sërish. Me riformulimin, rikonceptualizimin, apo rimodelimin e tyre shtrohet domosdoshmëria për t’u përgjigjur në to.

Anton K. Berishaj me veprën e tij studimore “Filantropia në Kosovë” ka bërë përpjekje të japë përgjigje në pyetje të tilla po ashtu.

Që në fillim ai vëren: “fjala filantropi, për shkak të origjinës së vet, bart me vete një natyrë të caktuar hyjnore, e cila, është për t’u habitur se si nuk është fshirë gjatë kohërave, por pikërisht është shndërruar në shkëlqim dhe dritë”, për të hetuar pastaj se si shkëlqimi dhe drita e filantropisë është rritur dhe ka jetuar brenda truallit tonë social e moral. Me faktin se ia ka dalë të mbijetojë, ajo imponon riaktualizimin e rishqyrtimin e saj, varësisht edhe nga sfidat dhe nga kontekstet.

Zakonisht, filantropia definohet si dashuri ndaj njeriut, si bamirësi dhe dëshirë për t’u ndihmuar të tjerëve. Ka dëshmi të hershme e të bollshme mbi filantropinë si aktivitet bamirës, ecila, sipas Berishajt, “ka marrë atribute mitike që nga mitologjia e lashtë greke, në tragjedinë Prometheu i prangosur”.

Nocioni i filantropisë është i përafërt edhe me nocionin latin caritas, që nënkupton dashuri e kujdes ndaj njerëzve të tjerë. Si i tillë ky nocion ka hyrë është edhe në fjalorë filozofikë: “Gjendje e shprehive të edukuara mirë, të cilat burojnë nga dashuria e njeriut. Gjendje e dikujt që u bën mirë njerëzve. Gjendje e mëshirës. Kujdesi bashkë me veprat e mira”. Rrjedhimisht, filantropia është identiteti i aksionit vullnetar, që për qëllim ka të mirën e përgjithshme apo edhe një veprimet individuale a kolektiv që synon të mirën e përbashkët, duke e sakrifikuar privaten për qëllime publike. Brenda këtij konteksti, zakonsisht flitet për dy tipa të ‘aksionit vullnetar për të mirën publike’. Tipi i parë nënkupton lehtësimin e vuajtjeve të atyre, ndaj të cilëve nuk ka ndonjë përgjegjësi ligjore, dhe tipi i dytë përmirësimin e cilësisë së jetës në bashkësi. I pari përfshin përmbushjen e nevojave elementare si: ushqimi, strehimi, veshja dhe përkujdesja shëndetësore; i dyti nënkupton një spektër më të gjerë të aktiviteteve jetësore, si aspektin kulturor, edukativ e rekreativ të komunitetit, pavarësisht nivelit.

A. Berishaj thekson burimin moral të veprimit filantropik. “Njerëzit veprojnë moralisht, atëherë kur presupozojnë se me veprimet e tyre u vijnë në ndihmë të tjerëve qoftë me veprime mëshiruese, qoftë kur vullnetarisht ndërhyjnë për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe për të përmirësuar të mirën publike. Të veprosh moralisht do të thotë të veprosh për të tjerët përtej shqetësimit për vetveten, veçanërisht kur veprimi është vullnetar. Aksioni vullnetar për të mirën publike është aksion moral”. Pra motivimi moral bëhet shtyllë e arsyes apo vetë ekzistencës së filantropisë. Janë punët e mira dhe të vyeshme që i kontribuojnë gjendjes së përgjithshme të shoqërisë, të cilat mund të nënkuptohen me “filantropi”, apo “moba”.

Pyetjet teorike si ato të shtruara në fillim, kanë marrë përgjigje në kontekstin historik e praktik, brenda shoqërisë kosovare.  Sidomos, kur kemi parasysh faktin se jeta në shoqërinë kosovare është shoqëruar me vuajtje, sakrificë e mund për mbijetesë. Në tri dekadat e fundit, kjo jetë njohu vlime dhe zhvillime të brendshme jashtëzakonisht të shpejta.

Fati historik e politik i jetës së shoqërisë kosovare, është parë gjithnjë si “sui generis”. Destinacioni i saj nuk ishte i lehtë, madje rëndohej përherë e më shumë. Karshi kësaj rridhte veprimi. Në rrethanat e kërcënimit të ekzistencës së saj, ajo njohu filantropinë si mënyrë ekzistence që e mbajti në këmbë.

Studimi sociologjik i Anton K. Berishajt “Filantropia në Kosovë”, jep një pamje të plotë të kësaj jete, duke riaktualizuar, e dëshmuar, tashmë nga një kontekst tjetër, se si ajo shoqëri mbijetoi dhe ruajti identitetin e saj, qoftë nga aspekti politik, qoftë social, kulturor e shëndetësor. Brenda këtij kuadri, ky libër është një studim që plotëson jo vetëm sjelljen filantropike të kësaj shoqërie, por jep edhe kontekstin e funksionimit dhe të vetëorganizimit të saj në shërbim të ruajtjes së identitetit.

Sipas Berishajt: “Jeta në ambientin çfarë ishte Kosova, vështirë se mund të ketë kursyer njeri – që së paku në një moment të mos jetë sfiduar për të pranuar njërin nga tri rolet qendrore të dukurisë së filantropisë: rolin e ideatorit dhe organizatorit të aksioneve për zbutjen e varfërisë që sidomos në Kosovë nuk ka munguar kurrë (të sensibilizojë të tjerët për nevojën e “hapjes së qeses dhe zemrës”), ose më sfidën e mëshirimit dhe pranimit të rolit të dhënësit të ndihmave – në çfarëdo forme që e ka kërkuar situate; ose me rolin e shfrytëzuesit të atyre ndihmave”.

Shoqëria kosovare, në kronologjinë e saj të vetëorganizimit dhe vetëfunksionimit, në betejën për ruajtjen e qenies, pa dilemë se filantropinë e ndieu si një lloj borxhi.

E ndodhur në një ambient të veçantë social, kulturor e politik, kjo shoqëri, zhvilloi kulturën e larjes së borxhit më mirë se shumë shoqëri të tjera, duke iu përgjigjur borxhit me vetëroganizim dhe shpirt filantropik. Siç thotë Berishaj, “që nga fillimi i viteve ’90-ta, për shkak të privimit të popullatës lokale që të shfrytëzojë shërbimet e objekteve shoqërore, me vetëkontribut të qytetarëve dhe me ndihmën e mërgimtarëve – janë ndërtuar objekte më kapitale që i kanë tejkaluar mundësitë buxhetore të individëve dhe familjeve, siç janë, shkolla, ambulanca, shtëpi të kulturës etj”.

Solidarizimi, solidariteti dhe vullnetarizmi ishin përgjigjja e duhur karshi gjithë atij presioni social e politik të ushtruar pas vitit 1989, ndaj masave ndëshkuese si nxjerrja nga puna, izolimi, përndjekja dhe burgosja. Kjo përgjigje ishte bërë edhe burimi kryesor i krijimit të sistemit paralel të jetës në Kosovë, i cili “funksionoi gati një dekadë, jashtë institucioneve të shtetit, nëpër objekte dhe shtëpi private, i penguar dhe i ndaluar e mobilizoi popullatën shqiptare – jo vetëm në Kosovë.” Pra, “rrezikimi kolektiv ngjalli solidaritetin dhe vullnetarizmin kolektiv”. Familje të shumta të cilat në pamundësi për të mbijetuar përballë krizave sociale dhe kërcënimeve nga më të ndryshmeve kërkonin mbështetje në strukturën farefisnore.

Krijimi i strukturës zingjirore filantropike duhej parë edhe në strukturën e organizimit familjar e social të shoqërisë kosovare.  Prandaj, jo rastësisht, “me këtë shpjegohet edhe fenomeni i solidariteti shqiptar në dekadën e fundit të shekullit XX në Kosovë. Në kushte të shtet-rrethimit nga forcat policore dhe ushtarake serbe vështirë se do të gjendej ndonjë mekanizëm  tjetër që do t’i bënte rezistencë izolimit, ekonomizimit ekstenziv, plaçkitjes, gjobave, dëmtimeve të pasurisë familjare etj. Këtë e bëri solidariteti, që fillimisht funksiononte brenda strukturës farefisnore për të treguar tendencës të shtrirjes në të gjitha strukturat e tjera të popullatës shqiptare, varësisht nga shkallëzimi i krizës. Ky fenomen është mjaft i njohur dhe i shpjegueshëm si koncept i vetëdijes kolektive në kontekstin e solidaritetit mekanik, të Emil Dyrkemit. Punëtorët e arsimit ofruan shërbimet e veta vullnetarisht dhe falas. Kështu filloi edhe mësimi nëpër shtëpi-shkolla, mirëpo falë mekanizmave të lartëpërmendur të organizimit të jetës, puna e tyre u shpërblye edhe në atë kohë. Numri më i madh i familjeve e mbijetoi krizën një dekadë të tërë, falë organizimit të mirë, vullnetarizmit, ndihmave dhe solidaritetit të mërgatës, vendorëve dhe ndërkombëtarëve”. Pra, Berishaj e sheh frymën filantropike si rrjet të interaksionit vendor e ndërkombëtar.

Natyrisht se varfëria që e kishte përcjellë këtë shoqëri edhe para viteve ‘90, ishte rënduar edhe më shumë në dekadën e krizës së madhe sociale e politike, atëherë kur, sipas Berishajt, filantropia, nuk u bë vetëm mision humanitar, por shumë më tepër. Ajo u shndërrua në “investim afatgjatë për realizimin e objektivave të qëndrueshme shoqërore”, duke e kualifikuar “historinë e dhënies” në histori të sakrificës dhe aktivitetit politik po ashtu. Edhe vetë pavarësia e shtetit u bë “produkt” i strategjive afatgjata dhe gatishmërisë së vazhdueshme “për të dhënë”. Kultura e “dhënies”hyri në themelet e kësaj shoqërie, mbi të cilat u ndërtua shtetësia e Kosovës.

Natyisht, në vazhdim të dekadës së dhënies apo kthimit të borxhit, me vetë pushimin e arsyeve të ekzistencës së filantropisë, pushoi së vepruari edhe ajo. Kjo dëshmon se janë situatat që imponojnë një lloj përgjigje sociale e psikologjike kur shtrohet nevoja, dëshmon njëkohësisht se ndjenja e solidaritetit dhe bamirësisë banon në ne.

Aktualisht, banimi ynë i sotshëm është sfiduar nga pandemia Covid19, e cila po sprovon botën për paqëndrueshmërinë e saj në të gjitha rrafshet, shëndetësore, sociale e politike. 

Varësisht nga jetëgjatësia e kësaj pandemie, mund të shtrohet edhe nevoja për një formë të re filantropike apo një lidhje të re solidare. Pandemia ka ndikuar tashmë në sjelljen tonë individuale dhe kolektive. Nuk ka asnjë dilemë se jetëgjatësia e filantropisë do jetë dukshëm më e madhe sesa vetë jetëgjatësia e pandemisë Covid19, porse kjo ka vënë në test edhe njëherë natyrën e lidhjeve sociale brenda një shoqërie. Libri i Anton K. Berishaj “Filantropia në Kosovë” rikthen pamje të një shpirti filantropik të një shoqërie, të cilat u flasin në mënyrën e vet edhe situatave të sotme. Ajo na përkujton se filantropia nuk ndjek ngjyrime politike. Ajo jeton, zhvillohet dhe shpërfaqet atëherë kur ka nevojë. S’mund të imponohet, as të improvizohet. Ajo vetëm sa dëshmon se vazhdon të banojë në ne, duke vazhduar të na ndihmojë në krijimin e vazhdueshëm të një kulture borxhi e dhënieje, si marrëdhënie fundamentale e kësaj bote.