19:23 / E Diele, 04 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Gjithçka brenda ditëlindjes së Elvana Gjatës

Për ditëlindje, Elvana Gjata mendoi të bënte diçka ndryshe. Në mendje kishte një koncert të thjeshtë për të promovuar këngët e albumit të ri, me pak njerëz, xhiruar thjesht, gjithçka thjesht. Nga kjo ide foshnjore, u realizua koncerti i mbrëmshëm, që ishte vërtet intim dhe i thjeshtë, por edhe spektakolar në mënyrën e tij.

Mbajtur në MakTirana Hotel and Tower, koncerti promovues bëri bashkë ajkën e asaj që ka për të ofruar Shqipëria dhe Kosova.

Të pranishëm ishin emra të njohur të artit, televizionit, e biznesit, gra të rëndësishme të politikës, aktorë e këngëtarë të njohur. Salla e pritjes, dekoruar në të zezë dhe të bardhë mirëpriti të ftuarit më glamorozë, me veshje mbresëlënëse, për të cilët mund të lexoni këtu.

Pas pak momentesh pritjeje dhe bisedash miqësore, të gjithë u ulën në sallën e koncertit, ideuar në tavolina me dy-tre karrige, ndriçim të butë dhe dekoruar me kopje të albumit akustik titulluar “3, Live Sessions”.

Mbrëmja nisi me një film të shkurtër, për fëmijërinë e Elvanës dhe rrugëtimin e saj drejt njeriut që është sot. Luhet një alegori e këndshme me diellin e rrënjët, e mesazhi me të cilin mbetemi në fund është i qartë porsi drita e diellit: Suksesi nuk ka fund e kurrë mos harro nga vjen. Pas prezantimit dinjitoz, skenën më në fund e zë Elvana.

Veshur me një kostum të zi e një trëndafil të bardhë, dizanjuar nga Valdrin Sahiti, këngëtarja performoi gjashtë këngët e minialbumit, me nga një fjalim të shkurtër midis secilës.

Performanca absolutisht të mahnitshme, qoftë nga Elvana, qoftë nga orkestra. Albumi është një bashkëpunim mes Elvanës, Pirro Çakos dhe Darko Dimitrov. Ajo i kërkoi vetë Çakos një bashkëpunim, si një prej idhujve të saj dhe arriti ta kthejë në muzikë pas pesë vitesh pauzë. Bashkë shkruan tekst e muzikë, orkestruar me dashuri nga Dimitrov, këngë që do të mbeten gjatë në trashëgiminë e muzikës së lehtë shqiptare.

Çakos i pati mbetur peng në zemër fakti që nuk i kushtoi asnjë këngë Atdheut dhe Elvana i ka kënduar gjithmonë vendit të saj. Nga këtu lindi kënga “Ti Shqipëri më jep nder”, me tekst të përshtatur poezinë e njohur të Naim Frashërit. Ndërsa “Më fal”, nuk u “shkruajt” nga Elvana, por “u këndua ashtu siç i erdhi në shpirt”.

Përpara se të performonte, Elvana hoqi takat, sepse një këngë e tillë, s’mund të këndohet kurrsesi ndryshe. Ndërsa për “Xheloz”, takat u veshën sërish, po për të njëjtën arsye. Fjalët e mbajtura mes këngëve të bënin të ndiheshe sikur ishe ti dhe Elvana, aq të ngrohta dhe të sinqerta tingëllonin. Dhe sidomos komike.

Elvana kishte super humor. Sigurisht, gjeti momentin të falënderonte njerëzit që e mbështetën në këtë nismë: kompoitorin Pirro Çako, violonistin Olen Çezari, bashkëpunëtorin e saj jetëgjatë Andy Gramm, producenten ekzekutive Dalina Buzi, orekstruesin Darko Dimitrov, prindërit, gjithë të ftuarit.

Veshja e Elvanës u duk si një përshëndetje e heshtur ndaj lëvizjes Me Too, (me kostum të zi, siç u veshën yjet e Hollywood-it në Golden Globes dhe trëndal të bardhë, siç mbajtën në duar a jakë të ftuarit e Grammy Awards), por fjalët që ajo tha për gratë e forta, ishin qartazi një tribut i thënë me zë të lartë e vetëbesim: Gratë janë të mrekullueshme. Skenografia, e cila ishte një vepër arti më vete, u ideua si një shtëpi neoklasike.

Në sfondin me dritare mund të shihej realisht Tirana natën, projektuar në ledwall. Kombinuar kjo me ndriçimin ekzaltues, çdo këngë merrte përmasa të reja, më të mëdha. Koncertin e mbylli “Xheloz”, me ndihmën e Olen Çezarit dhe pjesën tjetër të mbrëmjes në skenë u ngjit Dren Abazi me Zig Zag Orchestra.

Ndërkohë, Elvana zëvendësoi kostumin për një fustan të kuq e zbriti në sallë për të takuar të ftuarit e për të pozuar për kamerat./anabel