14:48 / E Martë, 09 Tetor 2018 / indeksADMonline

Gorani: Rezoluta e Qeverisë për dialog, nuk është zgjidhje  

Partia Socialdemokrate ka dalë me qëndrim të vetin rreth rezolutës së propozuar nga koalicioni qeverisës për rrugëdaljen e dialogut me Serbinë.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e kësaj partie, Dukagjin Gorani në një konferencë për media, duke folur edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, ka thënë se ky “kompromis” i tyre mbetet i njëjti që është ofruar edhe më parë dhe se nuk e shohin si rrugëzgjidhje.

Sipas tij, sipas këtij propozimi, opozita sërish ftohet vetëm që ta plotësojë me pjesëmarrjen e vet një kontruskion tashmë të përfunduar të Ekipit Negociator.

  1. Para se ta ofroj qëndrimin e Partisë Socialdemokrate rreth zhvillimeve të fundit, dua ta shpreh indinjatën tonë ndaj lëndimit të rëndë të dy të rinjve kosovarë në Novi Sad të Republikës së Serbisë. Sulmi huligan ndaj tyre, i shkaktuar nga urrejtja ndëretnike ka alarmuar dje mbarë opinionin publik – duke e ripërsëritur imazhin e shtetit serb si ambient jotolerant dhe armiqësor ndaj shqiptarëve në këto kohë të ndjeshme.

PSD uron shërim të shpejtë dhe kthim të sigurtë në shtëpi për Çlirim Malokun dhe shokun e tij nga Hasi i Prizrenit – derisa kërkojmë që Qeveria e Kosovës të shtojë presionin rajonal dhe ndërkombëtar, që autorët e këtij krimi të ndëshkohen në një proces gjyqësor të dokumentueshëm dhe të verifikueshëm.

  1. Gjithashtu, dje ishte ditë e humbjes së rëndë për gazetarinë dhe komunitetin e mediave në Kosovë. Vdiq Ibrahim Rexhepi, gazetar dhe redaktor i madh – koleg, mentor dhe mik i shumë gjeneratave të gazetarëve në vend dhe në rajon.

Sot, Partia Socialdemokrate shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe rrethit të gjerë të miqve për humbjen e një bashkëshorti dhe prindi të përkushtuar – të një profesionisti të rrallë. Ibrahim Rexhepi do të kujtohet si ekspert i fushës ekonomike dhe përkrahës i madh i çështjeve sindikale e punëtore, jetësisht i angazhuar në hulumtim, analizim dhe interpretim të problemeve socio-ekonomike të shoqërisë. Vdekja e parakohshme e tij është humbje e pakthyeshme e një diturie dhe një përvoje të çmuar – për të gjithë ne.

Tani, t’i kthehemi zhvillimeve në përditshmërinë tonë politike, dhe veçanërisht, paralizës së pakuptimtë parlamentare,të shkaktuar nga koalicioni qeverisës i cili pretendon se ka shumicën. Tashmë kemi hyrë në javën e tretë të mosthirrjes së seancave parlamentare,për çka nuk duket të ketë as arsye, e nuk mund të ketë as arsyetime. Por, t’i shkojmë me rend dhe përmbledhur:

  1. Dy muaj më herët, Presidenti aktual e nxjerri qëllimisht nga konteksti një parim tradicional të bashkësisë ndërkombëtare rreth Procesit të Dialogut mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Formulimin se ‘bashkësia ndërkombëtare do të pajtohet me cilëndo zgjidhje që është e pranueshme për të dy palët pjesëmarrëse’, Presidenti aktual vendosi ta interpretojë si autorizim për ta nisur një provokim të rëndë publik – e, të cilin sot e njohim si ‘korrigjimi i kufijve’.

Me këtë, Presidenti aktual vendosi të promovojë zgjidhjen më të thjeshtë dhe më të rrezikshme në historinë e problemeve etnike e politike në Ballkan – shkëmbimin territorial sipas logjikës etnike. Për më tepër, duke e thelluar tutje kontraverzën publike, ai manipuloi edhe me sentimentin etnik e kombëtar, duke e shtrembëruar opsionin e shkëmbimit territorial si një proces i njëkahshëm – ku Kosovës i bashkohen tri komunat shqiptare të Luginës së Preshevës, dhe ku Kosova nuk dorëzon asnjë metër katror.

Partia Socialdemokrate e rithekson se pohimet e tilla përbëjnë provokim absurd dhe qëllimkeq. Ato janë të formuluara vetëm për të shkaktuar huti popullore dhe përplasje politike. Duke qenë të paqëndrueshme dhe të pakuptimta, këto pohime prodhuan kundërshtim të organizuar publik dhe medial, si dhe revoltë të gjerë qytetare e cila u shpërfaq me protestën e 29 shtatorit në Prishtinë.

Së fundi, në kundërshtim të kësaj u detyrua të dalë edhe koalicioni qeverisës dhe Kryeministri Haradinaj; kësisoj duke i përshkallëzuar tutje raportet ndër-institucionale deri në pikë të paralizës shtetërore dhe grindjeve personale.

  1. Sot, sërish ndodhemi në situatë jo të pazakontë të ngërçit politik, parlamentar dhe shtetëror. Presioni për pjesëmarrje në Proces të Dialogut vazhdon të rritet prej së jashtmi, kurse përplasjet provinciale për shkaqe personale mes pushtetarëve, vazhdojnë të thellohen prej së brendshmi.

Partia Socialdemokrate konsideron se kjo farsë e lodhshme dhe disa muajshe e diskutimeve të kota rreth opsioneve të pamundshme, e ka shpërfaqur përfundimisht atë që dihej dhe pritej: mungesën e fuqisë reale politike dhe publike të akterëve për ta udhëhequr një proces politik. Kësisoj, sot:

  • Presidenti i vendit nuk ka as fuqi as kompetencë për të vendosur ne emër të popullit të Kosovës.
  • Qeveria dhe Kryeministri vullnetshëm e përjashtuan veten nga përgjegjësia udhëheqëse në proces të dialogut. Edhe pse në krye të shtetit, ajo sot ndodhet në bisht të procesit të dialogut.
  • Në anën tjetër, edhe pse e madhe në numra, opozita politike në Kuvend vazhdon të jetë e pamjaftueshme për ta rrëzuar këtë qeverisje fragjile dhe të shpërqëndruar.
  1. Në këtë kontekst, të ngërçit të plotë politik e shtetëror, duhet të interpretohet edhe ftesa e fundit e Kryetarit të Kuvendit, z. Kadri Veseli për një takim ‘gjithëpërfshirës’ me opozitën, rreth rrugëdaljes nga kjo gjendje e neveritshme, që kanoset me komplikime të mëtutjeshme.

Shkas dhe arsyetim për këtë takim u mor të jetë një propozim-rezolutë e re rreth dialogut, e hartuar nga koalicioni qeverisës. Edhe pse pati përpjekje që ajo të interpretohet si kompromis përmbajtësor karshi kërkesavetë opozitës, strukturalisht mbetet ajo e njëjta që ishte ofruar një muaj më herët.

Sipas këtij propozimi, opozita sërish ftohet vetëm që ta plotësojë, me pjesëmarrjen e vet, një konstruksion tashmë të përfunduar të Platformës dhe të Ekipit të pretenduar negociator. Këtu, me keqardhje duhet të konstatojmë se autorët e kësaj rezolute vazhdojnë të mos e kuptojnë as natyrën e as qëllimin e zanatit të politikës së organizuar në një shoqëri demokratike.

Kjo, për faktin se nuk mund të jesh ‘edhe lypës, edhe zgjedhës’. Nuk mund të imponosh diçka, nëse nuk e ke fuqinë për atë punë. Një koalicion i dobët qeverisës, tash së fundi, edhe në përplasje të hapur me Presidentin e vendit, nuk e ka privilegjin të hartojë propozime me qasjen ‘ose merre, ose leje’. Propozim rezoluta e fundit, e nënshkruar nga z. Veseli vazhdon ta mbajë pikërisht këtë qëndrim – e që për ne është edhe i pakuptimtë, edhe i panevojshëm.

Partia Socialdemokrate e rithekson qëndrimin e saj, se një çështje kaq e ndjeshme si procesi i dialogut me Serbinë, duhet patjetër të zgjidhet përmes debatit demokratik në Kuvendin e Republikës. Aty duhet të farkohet platforma e përbashkët negociatore dhe, rrjedhimisht të formohet Ekipi Negociator. Mbi të gjitha, kjo është e mënyra e vetme e mundshme që merr parasysh edhe fuqinë e numrave, edhe mendimet kundërshtuese, edhe urgjencën e përgjegjësive shtetërore. Shkurt, duhet gatishmëri për kompromis nëse synohet përbashkim e unitet.

Janë po këto parime që ishin përmbledhur, muaj më herët, në propozim-rezolutën e Partisë Socialdemokrate. Ajo s’është gjë tjetër veçse një formulë procedurale,e cila mundëson që zgjidhja e qëndrueshme ndërpartiake të arrihet me proces demokratik. Me të kërkohet që shumica e kualifikuar e 2/3 të deputetëve të Kuvendit të vendosë për përmbajtjen e Platformës Negociatore, për formimin e Ekipit Negociator dhe për Mbikëqyrjen Parlamentare të çdo faze të këtij procesi të ndërlikuar politik.

PSD vazhdon të besojë se propozimi i saj mbetet qasja më e arsyeshme e cila përkujton se zgjidhja e vetme për problemet e ndjeshme në shoqëri duhet të prodhohet përmes përfshirjes në fillim të procesit – e jo përmes ftesës për pjesëmarrje si përplotësim në një akt të kryer./Indeksonline/