12:09 / E Premte, 05 Shkurt 2021 / OSH

Hapat konkretë që presidenti i ardhshëm i Kosovës duhet t’i hedhë për të përmbushur mandatin ligjor e kushtetues për unifkimin e popullit kosovar

Opinion nga Gani Dreshaj

Sipas mandatit aktual, Presidenti i Republikës së Kosovës është kreu i shtetit dhe ai e përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës. Krahas kësaj, Presidenti i Republikës së Kosovës, në mes të tjerash: e përfaqëson Republikën e Kosovës brenda dhe jashtë; i nënshkruan marrëveshjet ndërkombëtare në pajtim me Kushtetutën; dhe e udhëheq politikën e jashtme të vendit.

Duke u bazuar në këtë mandat, Presidenti i ardhshëm i Kosovës duhet të tregohet proaktiv në fushën e politikës së jashtme. Sidomos, duke e parë se aktualisht Kosova po i afrohet periudhës kohore më kritike, kur duhet të arrij një zgjedhje përfundimtare me Serbinë, e cila do të rezultojë me njohjen reciproke të dy shteteve dhe hapjen e rrugës së Kosovës drejt të gjithë mekanizmave dhe institucioneve ndërkombëtare.

Deri tani, qasja e Kosovës ndaj procesit të dialogut dhe marrëveshjes finale me Serbinë ka qenë më shumë në dorë të synimeve dhe pikëpamjeve të individëve dhe partive të veçanta. Lejimi i vazhdimit të kësaj situate ka qenë gabimi më i madh që të gjithë Presidentët e Kosovës e kanë bërë deri më tani. Kjo qasje nuk e ka siguruar unitetin e popullit të Kosovës. Rrjedhimisht, çdo zgjedhje e propozuar, nuk e ka pasur mbështetjen e plotë dhe të të gjitha shtresave të shoqërisë së Kosovës.

Për ta siguruar unitetin dhe mbështetjen për një çështje kaq madhore, Presidenti i ardhshëm i Republikës së Kosovës duhet t’i bëj dy veprime konkrete:

VEPRIMI I PARË

Presidenti duhet ta angazhojë Akademinë e Shkencave të Kosovës që të përgatisë një dokument strategjik për procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë. Në anën tjetër, FSK-ja duhet të angazhohet për përgatitjen e një dokumenti strategjik ushtarak në lidhje me këtë proces dhe kërcënimet eventuale ndaj paqes, rendit dhe stabilitetit të brendshëm të Kosovës. Në këtë proces mund të përfshihen edhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Përgatitja e këtyre dokumenteve duhet të realizohet brenda një afati kohor të arsyeshëm. Në ndërkohë që këto dy (ose katër) institucione i përgatisin dy dokumentet e kërkuara, Presidenti i Kosovës duhet të fillojë përgatitjet për një Konferencë Mbarëkombëtare në Lidhje me Përfundimin e Procesit të Dialogut dhe Arritjen e Marrëveshjes Finale me Serbinë.

Në këtë konferencë do të prezantohen dy dokumentet e sipërpërmendura dhe më pas në bazë të këtyre dy dokumenteve do të diskutohet dhe do të përcaktohet kursi i veprimeve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, si dhe vet korniza bazë e kësaj marrëveshjeje. Kjo nënkupton që në konferencën në fjalë duhet të marrin pjesë institucione si: Akademia e Shkencave të Kosovës e cila do të jetë nikoqire e konferencës, departamentet e shkencave politike të universiteteve kryesore në Kosovë (shtetërore dhe private), departamentet juridike si dhe ato ekonomike të po këtyre universiteteve, shërbyes civil nga zyrat përkatëse, profesionistë të dalluar nga fushat e sipërpërmendura. Në këtë konferencë, do të duhej të përfshiheshin patjetër edhe ekspertë dhe akademikë të dalluar të këtyre fushave nga Shqipëria si dhe ekspertë të tjerë ndërkombëtarë dhe miq të Kosovës. Ajo që duhet të kihet parasysh është që në këtë fazë të procesit nuk duhet të përfshihet elementi politik.

Për shkak të përmasave të kësaj konference, punimet e saj do të duhej të ndahen në grupe më të vogla. Do të jetë detyra e Zyrës së Presidentit të Kosovës që të merret me të gjitha aspektet logjistike dhe teknike për organizimin e konferencës. Kurse, Akademia e Shkencave duhet t’i përmbledh të gjitha idetë dhe propozimet në një dokument final, i cili do të shërbejë si një udhëzues për veprimet dhe hapat që përfaqësuesit politik të shtetit duhet t’i hedhin deri në arritjen e marrëveshjes finale, e cila po ashtu, duhet të jetë e përcaktuar në këtë udhëzues.

Duke vepruar kështu Presidenti i Republikës së Kosovës do të shërbejë si figurë unifikuese. Por, edhe do të sigurohet që për herë të parë, pa marrë parasysh se cila qeveri do të vijë në pushtet, veprimet që do të ndërmerren të jenë vazhdimësi e një politike kombëtare. Me fjalë të tjera, çështja e marrëveshjes finale të Republikës së Kosovës, për herë të parë nuk do të jetë në duart e një individi apo partie politike. Mirëpo, në duart e institucioneve që janë të krijuara dhe të mandatuara pikërisht për këtë qëllim. Po ashtu, do të ishte më shumë se sa një supozim, të themi që një marrëveshje e krijuar dhe e arritur në këtë mënyrë nuk do të polarizojë shoqërinë por, do të bëjë që ajo marrëveshje të pranohet shumë lehtë dhe pa hezitim nga i tërë populli i Kosovës.

VEPRIMI I DYTË

Menjëherë pas përfundimit të dokumentit që do të rezultojë nga Konferenca në fjalë, Presidenti i ardhshëm i Republikës së Kosovës duhet të ndërmerr një hap tjetër, që asnjë President më parë nuk e ka ndërmarrë. Ky dokument do të dërgohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës ku pas diskutimit nga Deputetët e Kosovës do të votohet dhe do të miratohet në formën e një ligji. Me këtë veprim sigurohet ligjshmëria e këtij dokumenti, i cili do të jetë i obligueshëm për t’u zbatuar nga të gjitha qeveritë, pa marrë parasysh se cilës parti apo cilit krah politik mund t’i përkasin ato.

Po ashtu, përfaqësuesit e Kosovës gjatë këtij procesi do të jenë më imun ndaj presionit ndërkombëtar për kompromise të padëshiruara. Kjo sepse, për herë të parë, ata nuk do ta kenë mundësinë që të marrin vendime të tilla arbitrare. Krahas këtyre përparësive të sipërpërmendura, një dokument i tillë do të sigurojë që asnjë parti të mos ketë mundësi që të marrë pronësinë dhe të fitojë pikë politike ndaj rivalëve të tjerë politik për një çështje të rëndësisë jetike dhe ekzistenciale për popullin e Kosovës dhe tërë kombin shqiptar.

VEPRIMI I TRETË (OPSIONAL)

Një hap tjetër që Presidenti i ardhshëm i Republikës së Kosovës, mund ta ndërmerr në një plan më afatgjatë janë nismat dhe përkrahja  për zhvillimin ekonomik të vendit dhe/ose reformimin e sistemit arsimor universitar në përputhje me nevojat e tregut të punës, në aspektin afatmesëm.

Organizimi i një konkursi nën patronatin e Presidentit të Kosovës, në mes të departamenteve ekonomike dhe juridike të universiteteve dhe kolegjeve (publike dhe private) në Republikën e Kosovës për prezantimin e projekt propozimeve dhe ideve inovative për zhvillim ekonomik dhe reforma ne arsim. Në mos asgjë tjetër, ky konkurs do të mund të kthehej në një shtysë për Qeverinë e Republikës së Kosovës drejt përcaktimit të kursit që ajo duhet të ndjekë për krijimin e vendeve të reja të punës dhe planifikimin afatmesëm për zhvillimin ekonomik dhe arsimor të Kosovës.