16:32 / E Enjte, 12 Maj 2022 / A. M.

Heqja e barrierave në Ballkan për zhvillimin e turizmit, Kosova me plan dhe hapa konkret

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka  mbajtur sot konferencën ministrore për zhvillimin e turizmit në Ballkanin Perëndimor, në Tiranë. Konferenca mblodhi ministrat përgjegjës për turizmin nga Ballkani Perëndimor, përfaqësues të Komisionit Evropian dhe palë të tjera të interesuara në sektorin e turizmit.

No description available.

Nën titullin “Heqja e Barrierave për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Turizmit” u diskutua mbi temat me rëndësi për turizmin e rajonit.

Sekretarja e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, tha se heqja e Barrierave mes shteteve Ballkanike është hapi kryesor për të vendosur Ballkanin Perëndimorë në hartën turistike të botës.

“E kënaqur që sot mblodhēm në Tiranë Ministrat e Turizmit të Ballkanit Perëndimor. Vjet hoqëm romingun mes nesh, në 8 qershor nisim proçesin romingun falas me Evropën. Turizmi përbën 10.2% të PPB-së së rajonit dhe është një nga sektorët më të mëdhenj të punësimit me 11,4% të totalit. Gjatë pandemisë  filluam të njohim më shumë turizmin me fqinjët në rajon. Vetëm në 2021 Shqipëria është vizituar nga 5.7 milion turistë dhe shumica e tyre ishin nga vendet fqinje.  Promovim, zhvillim ekonomik, inovacione digjitale, kulturë, art, kulinari etj, janë përbërësit e menusë turistike që e kthen rajonin në një atraksion fitimprurës.”, ka thënë Bregu.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Republikës së Kosovës, Rozeta Hajdari, tha se Kosova ka punuar shumë gjatë kësaj perizudhe në promovimin e turizmit.

No description available.

“Kemi punuar në strategjinë për zhvillimin e turizmit. Posaçërisht të atij kulturor dhe pasurive natyrore të Kosovës. Zhvillimi i turizmit do të thotë edhe zhvillim ekonomik për vendin.  Ne do të ndërtojmë infrastrukturën rreth vendeve me potencial turistik,  do të bëjmë restaurimin të lokacioneve trashëgimore etj. Po ashtu, një segment i rëndësishëm është promovimi digjital i turizmit tonë dhe posaçërisht bashkëpunimi rajonal.”, ka thënë Hajdari.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Mirela Kumbaro, duke potencuar se plazhi i Shqipërisë është shpallur në mesin e 40 më të bukurve në botë, shtoi se tani puna u mbetet institucioneve që ta zhvillojnë në nivele më të larta.

“Hapja turistike e Ballkanit i jep sens ekonomik një tregu të ri. Shqipëria ka pasur 5.6 milionë turist të huaj në vitin 2021, duke përfituar një impuls të madh ekonomik. Prandaj, si institucione, duhet që të investojmë më shumë që ta zhvillojmë edhe më tutje turizmin. Në Ballkan jemi vende të vogla, prandaj, nëse hapemi, nuk e konkurrojmë njëra-tjetrën por e plotësojmë.”, tha ajo.

No description available.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se përkundër faktit që shtetet e Ballkanit kanë sfida dhe plagë të mëdha nga e kaluara, përsëri mundësitë janë të shumta.

“Duhet që të punojmë sinqerisht dhe pandalur që ta ndërtojmë një imazh të ri për rajonin tonë. Heqja e barrierave të ndryshme nëpër shtetet tona për turistët, si: romingu falas, liria e lëvizjes, siguria, lejet e punës etj, mund ta shndërrojnë shtetin tonë në një stinë turistike 12 mujore.”, tha Veliaj.

Gjatë periudhës para pandemisë, turizmi kontribuoi në 15% të PBB-së së rajonit, më shumë se ½ milion punonjës dhe efekte të shumta pozitive në fusha të ndryshme socio-ekonomike.

Në vitin 2019 më shumë se 12 milionë njerëz vizituan Ballkanin Perëndimor, që na solli një fitim prej 7.2 miliardë eurosh.

Turizmi përbënte 10.2% të PBB-së së rajonit dhe përbënte më shumë se 25% të eksporteve! Mesatarisht, 11.4% e totalit të të punësuarve në Ballkanin Perëndimor ishin nga ky sektor, 55% e të cilëve ishin gra.

Periudha post-pandemike e verës 2021 tregon rikuperim 70% në të gjitha vizitat turistike krahasuar me vitin 2019, ndërsa udhëtimet rajonale të Barometrit Ballkanit tregojnë rikuperim 92% ndaj para-pandemisë 2019, duke kontribuar që rajoni i Barometrit Ballkanik të ketë një nga normat më të shpejta të rimëkëmbjes drejt niveleve të 2019-ës.

Megjithatë, turizmi ishte dhe mund të jetë ende sektori më i goditur. Nëse kriza vazhdon, parashikimet janë se rritja ekonomike në vitin 2022 për rajonin e Ballkanit Perëndimor do të ulet nga 3.6% në 2.6% për shkak të efekteve të ndërprerjeve globale që çojnë në ulje të të ardhurave nga turizmi, rritje të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, inflacionit etj.

Megjithatë, turizmi ka një potencial të madh për të përshpejtuar progresin dhe për të transformuar kërcënimet në mundësi nëse menaxhohet mirë dhe me mençuri.