10:48 / E Enjte, 29 Tetor 2020 / OSH

Hoti: Reduktimi në administratë rritë efikasitetin dhe kursen paranë publike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se procesi i reformës së Administratës Publike ka rol kryesor në Qeveri.

Sipas tij, me reduktimin në administratë rritet efikasiteti dhe kursehen paratë publike.

Këto komente Hoti i ka bërë në tryezën “Reforma e administratës publike: “Shtytja e saj përpara”.

“Një proces i nisur para dy qeverive, tani ka këtë rol kryesor brenda Qeverisë së Kosovës. Javën që shkoi ne kemi miratuar dokumentin për reduktimin e barrës administrative. Vlerësimet që i kemi prezantuar se reduktimi i barrës administrative dhe rritja e efikasitetit të institucioneve do të na mundësojë që të kursejmë paranë publike dhe të rritë GDP-në, por më e rëndësishmja është që të rritet llogaridhënia e institucioneve”.

“Është e rëndësishme të nisim me zvogëlimin e agjencive”, ka thënë Hoti.

Ndërsa, zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri, ka thënë se nuk mund të ketë reformë të suksesshme pa dhimbje.

Ai deklaroi se ky program ka për qëllim të shërbejë në realizmin e përfitimeve që kanë qytetarët.

“Konstatimi im i parë është që kurrë nuk do të ketë reformë të suksesshme që nuk prodhon dhimbje. Ne kemi marr disa tema të cilat mendoj se janë të rëndësishme të potencohen këtu. Ky program ka për qëllim të shërbejë në realizimin e përfitimeve që kanë qytetarët duke zvogëluar për 30 përqind barrën administrative. Ne e kemi përfunduar ligjin për qeveri dhe e kemi dërguar të Komisioni i Venedikut”, u shpreh Tahiri.