12:00 / E Martë, 23 Prill 2024 / LB

Ish-presidenti slloven në krye të dialogut Kosovë-Serbi, Haliti: Pahor e njeh mirë situatën

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, raportohet të jetë një nga kandidatët potencialë për të marrë postin e të dërguarit special të Bashkimit Europian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Emisarit aktual, Miroslav Lajçak, i përfundon mandati në fund të gushtit dhe ai është propozuar për ambasador, në Zvicër.

Por, çfarë impakti, do të kishte emërimi eventual i ish-presidentit slloven në këtë post.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, njëherësh anëtar i Komisionit për punë të jashtme thotë se ky vendim i takon BE-së.

Megjithatë, ai thotë se kushdo që emërohet në këtë post,  do t’i zbatojë politikat e BE-së.

“Nuk ka politikë personale, qëllimi është që të dyja palët të arrijnë me i zbatu marrëveshjet e nënshkruara dhe kjo është kryesorja.  Pahor e njeh më mirë se paraardhësi i tij situatën Kosovë, sepse vjen nga një vend që kemi qenë bashkë”, ka thënë Haliti për IndeksOnline-n.

Politikisht do të thoja është më i paranushëm sepse vjen nga një vend që e ka njohtë Kosovën, por sidoqoftë edhe dy paraardhësit e tij nuk kanë ushtru ndonjë ndikim të qëndrimeve të qeverive tyre sa i përket Kosovës, por iu kanë përmbajt qëndrimeve të Bashkimit Evropian”, ka shtuar Haliti.

I pyetur nëse ka ndikuar fakti që Lajçak të mbajë qëndrim ndryshe, për shkak se ai vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën, ai thotë se këto deklarata i bëjnë ata që nuk marrin vesh në politikë.

Siç shkruan gazeta sllovene “Delo” shefja e diplomacisë së Sllovenisë Tanja Fajon po e ndihmon ish-presidentin Pahor në lobimin për të marrë pozitën emisarit special në dialogun që udhëhiqet nga BE-ja. /IndeksOnline/