16:37 / E Enjte, 28 Mars 2024 / FR

“Kali” i Beogradit dhe pluhuri i Prishtinës

Një aktor i famshëm, më shumë në Beograd, por edhe ndër shqiptarë, këto ditë e përfoli një tjetër aktor, por kësaj radhe edhe më të famshëm.

Ky i fundit nuk është aktor teatri apo filmi, është politikan. Fundja edhe politika është njëlloj teatri dhe politikanët janë aktorë. Në politikë je ose akter (veprues) ose aktor.

Ndoshta pak xheloz për famën e politikanit, e cila tashmë ka kapur planetin, aktori Petrovci e komentoi politikanin aktor, si një rastësi në politikën kosovare.

Atë dhe disa të tjerë i solli koha, tha! Po të mos ishte koha, nuk do të kishte dëgjuar kush për ta. Me një fjalë, nuk kishin ndonjë talent apo vlerë për t’u përmendur.

E kishte gabim, Enveri. Qarkullojnë edhe ide të tjera.  Thonë, nuk i solli koha, i sollën të tjerë në politikë, i mbajtën dhe…i hodhën. 

Aktori Enver Petrovci, është ai “kali i mirë” pas të cilit mediat dhe shoqatat e dala nga … gjithkah, ngritën pluhur. Enveri komentoi pakujdesshëm dy gjëra për të cilat shkenca ende ka paqartësi.

Koha, përfundimisht mbetet koncept i paqartë, ndërkohë që Thaçi, në deklarimet e tij publike në rastin më të mirë mbetet konfuz. Kështu thonë analistët, e këta në Kosovë janë vet shkenca. Akademia e Shkencave e mban kot emrin, dhe ende po studion me zell nëse Isai dinte apo jo, të shkruante.

Pasoi, një “Ad Hominem” i paparë, përmes të cilit “kali që ngriti pluhur” u cilësua si “kali” i Serbisë. Ka luajtur role në serbisht, ju gjet e meta në biografi. Kuptohet pra, ai nuk ka se si të mendojë mirë për “heronjtë e gjallë”, të (pas)luftës.

Ajo që tha ishte “blasfemike” për disa. Turp për ”kohën”, edhe për Enverin, apo për ne që nuk jemi falënderues që ata erdhën midis nesh e na e sollën lirinë. Kësaj radhe, atë, lirinë, nuk e gjetën në mesin tonë.

Fundja, këta nuk kanë përse të jenë modest, si Gjergji. E kam fjalën për Kastriotin, jo për këtë  Gjergjin tjetër, të cilin koha e solli deri në Hagë. Aty përbetohet se nuk ka qenë mirë mendërisht kur i ka dhënë deklaratat e para, për heronjtë e gjallë,  ndërsa tani, është mirë.

Por, të kthehemi te Kastrioti. Ai patë thënë, pesëqind vjet më parë se “Lirinë nuk na e solli ai, por e gjeti midis nesh”.

Është e qartë se “Ne” asokohe ishim të tjerë, dhe Gjergji nuk kishte si fliste dhe vepronte ndryshe, pasi ai asokohe nuk kishte përkrahjen e aviacionit të NATO-s. 

Në kohë e Gjergjit, mbi trojet shqiptare fluturonin vetëm shqiponjat. Pastaj, Gjergji nuk rrinte dot larg llogoreve të luftës, pasi kishte ikur nga Bosfori, për të luftuar Perandorinë Osmane, jo për të aktruar.

Mund të diskutojmë pa fund, por fjalën e Enverit, kur të bjerë pluhuri, duhet marrë seriozisht. Krejt fajet i ka koha. Edhe lufta. Koha e kishte sjellë pak a shumë secilin lider politik dhe po të mos i kishte sjellë koha nuk do ti njihte askush.

Por koha nuk e solli Albinin, thotë Petrovci. Ai erdhi vet. Mund të ketë pasur, në shesh, më pak se 300 “ushtarë” sa i kishte Skenderbeu kur iku nga Nishi. Me një fjalë, hyr fjalë nga dole, o Enver. Kot e mprehe shpatën, për situatën. Nuk ka situatë këtu. Fundja llaf po bëje me Adelinën. Kot quan pluhur, shoqatat dhe portalet.

Pastaj Adelina (Ismajli), moderatorja e emisionit, këngëtarja e famshme, sidomos gjatë viteve të 90-ta, të cilën po ashtu e solli koha në mes nesh,  doli në mbrojtje të mysafirit, në traditën më të mirë shqiptare. U bë e famshme me hitet “Ushtrinë time do ta bëj me Ibrahim Rugovën”, edhe “Përzini çajat” dhe ka shumë gjasë që një pjesë e pluhurit ka të bëjë edhe me këto hite.

E përse një artist të mos mund të vlerësoj politikanët, pyetet këngëtarja?

Mendon vërtetë Enveri se Albini ka lexuar libra më shumë se çdo politikan tjetër? Të lexuarit qenka vlera kryesore e kryeministrit? Nuk mendoj ashtu. Ka që mendojnë se vlera kryesore e Kryeministrit është vendimmarrja dhe karakteri. Për dallim prej “aktorit” Thaçi, thonë se ky është akter (veprues). Kush punon edhe mund të gabojë. E ka lëvizur rrotën e rëndë të burokracisë ndërkombëtare. Nuk është vetëm punë të lexuari, Enver. Është edhe çështje e ndërgjegjes. Dikush e ka e dikush nuk e ka.

Aktori Petrovci krahasoi të pakrahasueshmet. Pasoi Ad Hominem. Por Ad Hominem nuk është argument që vërteton asgjë. Është thjesht, sharje! Të kanë sharë Enver! Sot, sidomos në median sociale, kush qon pluhur shumë, i fusin një Ad Hominem. Pra kujdes, nëse nuk lexojnë, shohin televizor. Është situatë tragjikomike. I thonë “Kali” i Beogradit dhe pluhuri i Prishtinës./Pamfleti