14:54 / E Diele, 10 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Këtë vit 26 mijë kosovarë dhuruan gjak, shumica për të lënduarit në aksidente

E premtja që shkoi mund të ketë qenë fatale për 37 vjeçaren nga komuna e Gjakovës, Arlinda Himajn. Ajo kishte mbetur shtatzënë dhe priste fëmijë binjakë kur në javën e 25’të asaj i janë paraqitur komplikime duke e quar kështu në një gjendje shoku si pasojë e gjakderdhjes së madhe. Për ta mbajtur Arlindën në jetë mjekët e QKUK’së punuan më shumë se shtatë orë në sallën e operimit. U deshën më shumë se 20 doza gjaku që nëna nga Gjakova të mund t’i mbijetojë operacionit.

37 vjeçarja ishte futur në operim nga stafi i QKUK’së në orën 02 të mesnatës, andaj sigurimi i dozave të mjaftueshme të gjakut në atë kohë ka qenë i vështirë. Është dashur që të jepet gjak edhe nga persona të tjerë ngase Qendra për Transfuzionit të Gjakut nuk kishte doza të mjaftueshme.

Megjithëkëtë, Bukurije Raqa-Zhubi, ushtruese e detyrës së drejtorit i Qendrës së Kosovës për Transfuzionin e Gjakut në Prishtinë, i ka thënë Gazetës Express se çdo vit shënohet rritje e dhuruesve të gjakut.

Por sipas saj, ka raste kur dozat e gjakut që posedon kjo qendër nuk mjaftojnë për t’i mbuluar të gjitha rastet që kanë nevojë për furnizim me gjak.

“…në situata të caktuara (aksidente politraumatike me numër të madh të të lënduarve, gjakderdhje masive tek te cilat kërkohen 30-40 doza nga i njëjti grup, kërkesa të mëdha për grupe të rralla të gjakut), rezervat në QKKTGJ mund të mos mjaftojnë për momentin, për çka nevoja për dhurime të orientuara është e nevojshme”, ka thënë Zhubi.

Ajo shpjegon për grupet e gjakut të cilat më së shumti kërkohen nga pacientët. Thotë se vështirësi po kanë me sigurimin e gjakut me grupin negativ ngase këto grupe janë më të rralla.

“Grupet e gjakut me Rh faktor negativ(O-A-, B-, AB- ) janë grupet më të rralla të gjakut. Rrjedhimisht,  kur pacienti është me faktor negativ, dhe ka nevoja për numër të madh të dozave, nevojitet mobilizim i familjarëve për dhurim të gjakut (dhurim i orientuar), të cilët kanë më shumë gjasa të kenë grupin dhe Rh faktorin e njëjtë me pacientin”, ka thënë ajo.

Ndërkohë që deri në muajin dhjetor të këtij viti rreth 26 mijë qytetarë kanë dhuruar gjak në Qendrën për Transfuzionit të Gjakut. Sipas drejtoreshës së kësaj qendre, rreth 78 për qint të këtyre rasteve janë dhurues vullnetarë, kurse pjesa tjetër janë dhurues të orientuar.

“Numri i kërkesave dhe dozat e dhëna QKUK-së, spitaleve rajonale dhe institucioneve tjera të cilat përdorin gjak ose produkte gjaku për trajtim klinik zakonisht kalkulohen në muajin Janar-Shkurt për vitin paraprak”, ka thënë ajo. Sipas ud.të QKKTGJ, numri i dozave të lëshuara për institucionet shëndetësore e tejkalon dyfishin e dhurimeve të gjakut.

E në Qendrën për Transfuzionin e Gjakut, thuhet se rreth 80 për qind e nevojave të pacientëve i mbulojnë dhuruesit vullnetarë të gjakut. Derisa për 20 për qind të pacientëve, ende vazhdojnë t’i mbulojnë familjarët.

Dhurimi vullnetar i gjakut organizohet çdo vjet në Kosovë, dhe sipas zyrtarëve të qendrës së transfuzionit të gjakut, numri i qytetarëve që iu përgjigjen kërkesës është duke u shtuar çdo vit. Ata thonë se me gjithë kërkesat e mëdha për gjak, në Kosovës deri më tash nuk ka pësuar askush nga mungesa e tij.