18:12 / E Hënë, 30 Mars 2020 / indeksADMonline

Kompania farmaceutike do të testojë vaksinën ndaj koronavirusit deri në shtator

Gjiganti farmaceutik Johnson & Johnson njoftoi të hënën se planifikon të fillojë testimet klinike njerëzore për vaksinën kundër Covid-19 deri në shtator.

Tutje, firma parashikon që vaksinat e para mund të jenë në dispozicion për përdorim urgjent nga fillimi i vitit të ardhshëm, raporton CNN.

Zhvillimi i vaksinave vjen si pjesë e një partneriteti midis Johnson & Johnson dhe Autoritetit të Kërkimit dhe Zhvillimit të Avancuar Biomjekësor (BARDA), e cila është pjesë e Zyrës së Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore të Ndihmës Sekretarit të Përgatitjes dhe Reagimit.

BARDA dhe Johnson & Johnson “së bashku kanë bërë më shumë se 1 miliard dollarë investime për të bashkë-financuar vëzhgimin, zhvillimin dhe testimin klinik të vaksinave”, sipas një njoftimi për shtyp nga ndërmarrja farmaceutike.

“Bota po përballet me një krizë të shëndetit publik dhe ne jemi të përkushtuar ta bëjmë vaksinën tonë kundër COVID-19 të disponueshme globalisht sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha kryetari dhe shefi ekzekutiv i kompanisë, Alex Gorsky, në një deklaratë për shtyp të hënën.

“Si ndërmarrja më e madhe e kujdesit shëndetësor në botë, ne ndiejmë një përgjegjësi të thellë për të përmirësuar shëndetin e njerëzve në të gjithë botën çdo ditë”, tha Gorksy.

“Johnson & Johnson është pozicionuar mirë përmes kombinimit tonë të ekspertizës shkencore, shkallës operacionale dhe forcës financiare për të sjellë burimet tona në bashkëpunim me të tjerët për të përshpejtuar mposhtjen e pandemisë”.