20:13 / E Mërkurë, 09 Maj 2018 / indeksADMonline

Kosova larg integrimeve evropiane

Ani pse Kosova nuk është ende pjesë e Bashkimit Evropian dhe si i tillë është vend i izoluar, sot kjo ditë është shënuar dhe festuar zyrtarisht me disa aktivitete të ndryshme. Për dallim nga vendet e tjera që nuk janë pjesë e BE-së, kjo datë përbënë thjeshtë një ditë normale.

Në këtë datë kur shënohet Dita e Evropës, Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka thënë se objektiv strategjik i Kosovës është anëtarësimi në BE dhe se Kosova ka plotësuar kushtet për këtë objektivë.

Mirëpo, për njohës të integrimeve evropiane, Kosova ende ka punë në raport me arritjen e objektivave për anëtarësim në BE.

Njohësi i integrimeve evropiane, Avni Mazreku për Indeksonline ka thënë se nuk mund të pretendohet një raport normal mes Kosovës dhe BE-së, përderisa ekzistojnë pesë mosnjohje, nga pesë shtete anëtare të BE-së.

“Problemet e Kosovës mbetën këto që janë, të hapura, të pazgjidhura, ato probleme çfarë i ka pas Kosova që nga shpallja e Pavarësisë. Na nuk mundemi me pretenduar për ndonjë raport normal në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përderisa ekzistojnë këto pesë mosnjohje nga ana e pesë shteteve anëtare të BE-së. Kjo për faktin se mënyra se si merren vendimet në Bashkimin Evropian është i tillë, domethënë mënyra e vendimmarrjes. Prandaj, Kosova para se me fol për data dhe ecjen e saj drejt anëtarësimit në BE, duhet të fokusohet në arritjen e këtyre pesë njohjeve nga ana e pesë shteteve anëtare të BE-së”, ka thënë Mazreku.

Ai ka shtuar se faktori institucional ka mungesë strategjie se si të arrihet tek njohja e këtyre pesë shteteve anëtare të BE-së, e me këtë anëtarësimin.

“Përderisa ekzistojnë këto pesë mosnjohje edhe qëndrimi i BE-së për Kosovën, është neutral. Nëse Kosova synon të anëtarësohet në BE, sigurisht nuk mund të aspiroj të anëtarësohet pa i pas këto njohje nga shtete anëtare. Deri me tani nga faktori institucional, që e përfshin, politikën e jashtme të Kosovës, zyrën e Presidentit, Ministrinë e Jashtme por edhe segmente të tjera, që janë të involvuara në politikën e jashtme të Kosovës, nuk duket që kanë strategji të qartë se si të arrihet tek njohja e këtyre pesë shteteve anëtare. Të paktën ne nuk kemi arritur të gëzojmë diçka konkrete nga ana e Kosovës. Se Kosova është duke ndërmarr ndonjë veprim konkret i cili mund të realizoj këtë objektiv strategjik me interes të veçantë për Kosovën”, ka shtuar ai për Indeksonline.

Edhe njohësi tjetër, Dashnim Ismajli është shprehur se Kosova është larg vendeve të tjera të rajonit në raport me BE-në. Ismajli për Indeksonline ka thënë se stopimi i rrugëve integruese vije nga mosaftësia për të ndërtuar një kulturë politike.

“Mendoj se Kosova edhe pse 18 vite pas luftës, nuk po arrin të konsolidoj shtetësinë e saj sikundër vendet e rajonit, të ndërtoj institucionet e saja të qëndrueshme dhe të ndjek rrugën e saj integruese paralelisht me vendet rajonale. Mendoj se ky stopim i procesit të rrugës integruese vije pikërisht nga mos aftësia për të ndërtuar një kulturë politike e cila do ishte e përgjegjshme në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe demokratizimin e tyre”, ka thënë ai.

Mirëpo, sipas tij, e mira e procesit të anëtarësimit, ndonëse mund të jetë në një të ardhme të largët, ajo do të ndodh.

“Sa i përket një anëtarësimi të mundshëm të Kosovës në BE, e mira e gjithë kësaj është se Kosova nuk ka alternativë tjetër, d.m.th se pavarësisht se Kosova mundë të jetë ende tepër larg për një integrim të plotë në BE, një integrim në BE do të ndodh, gjithsesi në rast se do kemi fatin të kemi një model të njëjtë të BE-së në një të ardhme të largët. Mendoj se kohën e fundit Ballkani Perëndimor është futur prapë në agjendën e BE-së, duke ju falënderuar influencës ruse në këtë rajon, andaj BE mendoj se e ka me urgjencë fokusimin në Ballkanit perëndimor dhe të marrë më serioze politikat e saja të zgjerimit, që do nënkuptonte edhe stopimin e influencës ruse dhe vendeve të tjera të lindjes në këtë rajon”, ka shtuar Ismajli për Indeksonline.

Institucionet e Kosovës vazhdimisht deklarohen se Kosova ka shënuar progres në arritjen e objektivave për anëtarësim në BE, si marrëveshja e Stabilizim Asocimit, ratifikimi i demarkacionit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit që janë faktorë kyç për lëvizjen e lirë të qytetarëve, mirëpo, një gjë e tillë mbetet të shihet.

Guri i themelit për krijimin e Bashkimit Evropian u vendos nga Ministri i Jashtëm Francez, Robert Schuman, në deklaratën e tij të 9 majit të vitit 1950, në të cilën ai parashtroi idenë e përpunuar më parë me Jean Monnet për bashkimin e industrive evropiane të qymyrit dhe çelikut. Sipas tij, kjo do të përbënte një nismë historike për ndërtimin e një “Evrope të organizuar dhe vitale”, pa të cilën paqja në botë do të ishte e pamundur. Plani Schuman u bë realitet me nënshkrimin në Paris të Traktatit Themelues të Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut më 18 prill të vitit 1951./Indeksonline/