22:29 / E Enjte, 31 Janar 2019 / indeksADMonline

LDK-ja para një muaji refuzoi SHBA-në, ndërsa sot akuzon Haradinajn për mos-heqje të taksës

Lidhja Demokratike e Kosovës po e konsideron të  papranueshme qëndrimin e Qeverisë “Haradinaj” lidhur me refuzimin e kësaj të fundit rreth kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth pezullimit të taksës ndaj Serbisë.

Deputetë dhe zyrtarë të partisë së Isa Mustafës po akuzojnë kryeministrin, Ramush Haradinaj, se ai nuk po i dëgjon urdhrat e amerikanëve.

Mirëpo, si po qëndron në të vërtetë partia më e madhe opozitare.

LDK-ja, subjekti më i madh opozitar, para disa javësh refuzoi kërkesën e Ambasadës së SHBA-së që e njëjta të bëhet pjesë e ekipit gjithëpërfshirës që do të dialogojë me Serbinë në Bruksel.

Ishte diplomati nga Amerika, Philip Kosnett i cili më 31 dhjetor të vitit të kaluar zhvilloi një takim me ‘kokat’ e LDK-së. Sugjerimi që ata t’i bashkohen bisedimeve shkoi në ‘vesh të shurdhër’.

Përgjigja e vetme e Mustafës ishte me një falënderim për ambasadorin Kossnet. “Falenderojmë mbështetjen që ShBA i ka dhënë Kosovës në etapa të rëndësishme të shtet ndërtimit”, thuhej në qëndrimin e LDK-së.

Pjesë e këtij takimi ishin nënkryetarët, Agim Veliu dhe Lutfi Haziri, shefi i grupit parlamentar, Avdullah Hoti dhe Vlora Dumoshi, anëtare e Kryesisë.

Indeksonline ka parashtruar një pyetje në adresë të LDK-së, mirëpo zëdhënësi, Besian Mustafa si dhe nënkryetari, Lutfi Haziri, kanë refuzuar të deklarohen rreth kësaj teme.