16:10 / E Premte, 30 Shtator 2022 / LB

Mustafa: Ministria e Financave sot nuk i ka procesuar pagat për asnjë nga mbi 80 mijë zyrtarët publik

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka thënë se Ministria e Financave sot nuk ka procesuar pagat për asnjë nga mbi 80 mijë zyrtarë publik, duke përfshirë mjekët policës, zjarrfikësit e ushtarët e FSK-së.

Ligji, sipas tij, ia lejon Ministrisë të procesojë pagat deri më 5 tetor, në rast se ka nevojë të sigurojë mjetet, por MF ka, sipas tij, 800 milionë euro në llogari bankre, të konfirmuara nga vet ministri.

Postimi i plotë i deputetit Besian Mustafa:

Sot, Ministria e Financave nuk ka procesuar pagat për asnjë nga mbi 80.000 zyrtarët publik! Pra, as për mjekët, as policët, as zjarrfikësit, as ushtarët e FSK… askujt!

Ligji ia lejon Ministrisë të procesojë pagat deri më 5 tetor, në rast se ka nevojë të sigurojë mjetet. Por, MF ka 800 milionë euro në llogari bankare, të konfirmuara nga vet ministri. E në anën tjetër qytetarët po përballen me një nga krizat më të thella ekonomike dhe energjetike dhe me rritje të frikshme të çmimeve! Si t’i paguajnë këta qytetarë faturat e energjisë, ujit, telefonit, këstet e kredive kur Qeveria nuk ua proceson pagat?!

Pse pra nuk janë procesuar pagat sot? Ky duket qartë se është ndëshkim i të gjithë zyrtarëve publik, është presion i llojit “detyroni mësuesit të kthehen në shkolla, përndryshe as juve nuk ua procesojmë pagat”.

Qeveria ta ndalë urgjentisht këtë qasje të ndëshkimit kolektiv dhe të mos dëmtojë edhe më tej gjendjen e rënduar ekonomike të qytetarëve tanë!