09:47 / E Premte, 22 Mars 2019

Në Kosovë janë kthyer mbi 40 mijë qytetarë që migruan

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka publikuar punimin me titull “Matja dhe vlerësimi i politikave të riintegrimit”. Qëllimi i punimit është të analizojë ndikimin e politikave ekzistuese dhe skemave mbështetëse që adresojnë nevojat e të rikthyerve në Kosovë.

Hulumtuesi nga organizata Demokraci për Zhvillim (D4D), Gersi Gashi, tha se historia e emigrimit të kosovarëve ka pasur disa etapa.

“Janë pesë etapa të emigrimit. E para ka qenë e viti 1969. Emigrantët nuk kanë pasur shkathtësitë dhe kanë qenë punëtorë, e vijmë në vitin 1999, ndërsa vala e fundit e viti 2014-15,  për të cilën nuk kemi të dhëna të sakta, por që sillet prej 80 mijë deri në 100 mijë emigrantë”, tha ai sot në emisionin “Aktual” në RTK3.

Sipas tij, për disa vite janë kthyer mbi 40 mijë persona. Ai tha se është vështirë të merret azil në vende të BE-së.

“Është vështirë të merret azili, 97% u refuzohet azili, ka persona që  mbesin për shkaqe shëndetësore”, tha ai.

Ndryshe, dokumenti përdor tre burime të informatave: (a) të dhënat ekzistuese, (b) anketat e zhvilluara me të rikthyer, dhe (c) grupe të fokusit të mbajtura me përfitues/e të skemave. Gjetjet synojnë të rrisin edhe më tej ndikimin e politikave në riintegrimin e të kthyerve, duke dhënë rekomandime bazuar në gjetjet e hulumtimit. Ky aktivitet mbështetet nga GIZ/DIMAK.