14:42 / E Enjte, 09 Nëntor 2023 / S Z

Në përkujtim të përvjetorit të kritikut letrar Bajram Krasniqi – Vdekja nuk ishte fjala e tij e fundit

Sot, më 9 nëntor 2023, bëhen thridhjetë e tri vite prej se kritiku, eseisti e historiani i letërsisë, Dr Bajram Krasniqi, shkoi në amshim. Edhepse jetëshkurtër, vepra e tij shkencore, intelektuale e kulturore vazhdon të  vlerësohet lartë nga studjuesit e letërsisë shqiptare. Krijimtaria e tij, penda e tij e mprehtë, i reziston kohës dhe harrimit. Ajo ngërthen kërkime dhe analiza të larmishme teorike, historiko-letrare, këndvështrime kulturore, sociologjike e politike të kohës, e në veçanti studime të thella konkrete, sidomos analiza e shquar e tij e romanit historik shqiptar ku më së miri shkëlqen shëmbëlltyra e tij krijuese e letrare.

Për Bajramin kanë shkruar studjues dhe intelektualë të shumtë nga të gjitha viset shqiptare. Për gjurmët e tij të thella në historikun e kritikës letrare shqipe, studjuesi i shquar nga Tirana, Jorgo Bulo, shkruante: “Vdekja e Bajramit është një humbje për shkencën tonë letrare dhe për kulturën e kombit tonë, së cilës i kushtoi talentin e tij të rrallë, pasionin dhe frymëzimin e shkencëtarit që e pat lidhur me jetën e vetë, me fatin e popullit dhe kulturës së tij.”

Bashkëpunëtori i tij i ngushtë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Sefedin Fetiu, në analizën e tij për veprën e Bajram Krasniqit, poashtu e lamenton vdekjen e tij të parakohshme: “… Kështu ndodhë mjerisht në këtë botë, më shpesh se sa që është për t’i besuar; shkojnë të rinjt e talentuar, plot hov e vullnet për punë e krijim vlerash të çmuara dhe mbesin disa që e kullosin kot livadhin e jetës pa u gërzhitur për asgjë. Mirëpo këto janë fshëhtësi që nuk mund t’i zgjidhë asnjë demijurg letrar; ato janë në dorën e kompetencën e demijurgut të madh, të natyrës, të evolucionit, të biologjisë. Njeriu i nivelit të Bajram Krasniqit ka qenë koshientë për një të vërtetë të tillë, prandaj ai e ka kryer punën e vet sa më mirë që ka mundur, me ndërgjegje, me përgjegjësi, me përkushtim, pa e kursyer vetvetën. Ai ka qenë i vetëdijshëm se të gjitha janë kalimtare në këtë botë, se të gjitha zbehen, rrëzbiten, treten, zhduken: edhe qenja biologjike, edhe derivatet e saj shpirtërore, dashuria, miqësia, lumturia njerëzore, kujtimet. Mbetet vetëm vepra e vlefshme, e çmueshme, e ndritshme si shenjë e pashlyeshme, e amshueshme – trashëgim dhe amanet gjeneratave në amshim.”

Veprat e botuara të Dr Bajram Krasniqit: Komunikime Letrare (1980); Letërsia dhe vetëdija historike (1984); Poetika e romanit historik shqiptar (1985); Kode të ligjërimit letrar (1988), dhe Inteligjencia, letërsia dhe realiteti (postmortem, 1996)