13:23 / E Diele, 27 Shtator 2020 / indeksADMonline

Policia shqiptare arreston Toni Jasharin nga Gostivari, në vitin 2018 u arratis nga Krocia, ku ishte i dënuar me 10 vite burg

Policia Kufitare si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe falë bashkëpunimit me Interpol Tiranën, evidenton dhe arreston me qëllim ekstradimi një shtetas maqedonas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore kroate, ka njoftuar Policia Shqiptare.

Sipas policisë ndalimi i 35-vjeçarit është bërë pasi ai rezulton i dënuar me 10 vite burg, për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Prodhim dhe shitje narkotikësh”.

“Në kuadër të masave të shtuara dhe analizës së rriskut, shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë Thanës, gjatë përpunimit të detajuar të dokumentacionit në hyrje të Republikës së Shqipërisë, të shtetasit T. J., konstatuan se autoritetet gjyqësore kroate me vendimin e datës 26.08.2015, e kanë dënuar këtë shtetas me 10 vjet burg për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, parashikuar nga Kodi Penal Kroat. Ky shtetas në vitin 2018, është larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit”, thuhet në njoftim.

I arrestuari  nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë, T. J., 35 vjeç, është  banues në Gostivar  të  Maqedonisë së Veriut.