13:56 / E Diele, 29 Korrik 2018 / indeksADMonline

Pritet konfiskimi i pasurisë milionëshe të oligarkëve Ekrem Lluka, Bujar Musa dhe Akan Ismaili

Oligarkët e treshes së zezë amerikane, Ekrem Lluka, Bujar Musa dhe i pandashmi i tyre Akan Ismaili, pritet të jenë të parët nga lista që do t’u ngrihet dhe konfiskohet pasuria milionëshe në Kosovë.

Parlamenti i Kosovës pritet së shpejti të miratojë Ligjin për Shqyrtimin dhe Vërtetimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe shumë të ashtuquajtur biznesmenë e politikanë të “suksesshëm” në Kosovë do të jenë objekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë.

IndeksOnline ka mësuar se Prokuroria Speciale dhe institucionet e tjera të drejtësisë e kanë përgatitur edhe një listë të oligarkëve kosovarë për konfiskimin e pasurisë, e cila po mbahet “Top Sekret” deri në ndërmarrjen e masave konkrete procedurale ndaj tyre.

Kësaj liste, sipas burime brenda institucioneve të drejtësisë, i prijnë tre oligarkët e penalizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Ekrem Lluka, Bujar Musa dhe Akan Ismaili.

Këtyre oligarkëve dhe disa të tjerëve pritet t’u konfiskohet edhe pasuria e krijuar nga IPKO, pronat e paluajtshme në mbi 60 milionë euro në Kosovë, Shqipëri dhe Leposaviq, shtëpitë milionëshe në fshatin ndërkombëtar, në lagjen Marigona, si dhe disa lokale afariste dhe pallate ndërtimesh në Kodër të Diellit dhe gjetiu.

Këta oligarkë dhe poseduesit e dyshuar të pasurisë së tyre do u nënshtrohen fillimisht procedurave për vërtetimin e themelësisë së pasurisë që posedojnë vetë apo personat e tretë tek të cilët e kanë bartur ata pasurinë, që sipas dëshmive të pakontestuara, janë kryesisht familjarë të tyre.

Në nenin 5 të Ligjit për Shqyrtimin dhe Vërtetimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, parashihen edhe kushtet sesi do të bëhet vërtetimi i pasurisë së pajustifikueshme.

Trupi gjykues nga Departamenti i Krimeve të Rënda pranë gjykatës kompetente, pasurinë që është objekt i vërtetimit dhe shqyrtimit të themelësisë së saj, lidhur me sajimin e saj të justifikueshëm dhe ligjshmërinë e përfitimit të saj, do ta vlerësojë se nuk është e justifikueshme dhe e ligjshme, nëse kemi të bëjmë me rastet e mëposhtme:

“1.1. i dyshuari e ka sajuar pasurinë në bazë të ndonjë veprimtarie, e cila paraqet rrethanë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi;

1.2. të hyrat legjitime të dyshuarit kanë qenë të pamjaftueshme për të mundësuar blerjen e pasurisë;

1.3. i dyshuari nuk ka mundur të vërtetojë burimin e prejardhjes së pasurisë bazë dhe asaj të sajuar;

1.4. transaksionet në mes të dyshuarit dhe personit të tretë nuk korrespondojnë me mundësitë objektive të të dyshuarit;

1.5. nga veprimtaria të cilën e ushtron i dyshuari rezulton mundësia e kryerjes së veprës penale që ndërlidhet me motivin e përfitimit material;

1.6. sjellja nga nën-paragrafi 1.4. i këtij paragrafi do të mundësonte blerjen e një pjese apo tërësinë e pasurisë”, thuhet në Ligjin për Shqyrtimin dhe Vërtetimin e Pasurisë se Pajustifikueshme.

Bazuar në infrastrukturën e përgatitur ligjore, i dyshuari duhet të provojë prejardhjen e pasurisë, mënyrën e përfitimit dhe kronologjinë e transaksioneve të mundshme të cilat janë përfshirë në kërkesën e prokurorisë.

“E gjithë barra e të provuarit bie mbi të dyshuarin lidhur me shqyrtimin e pasurisë, duke përfshirë justifikimin e saj dhe bazën e përfitimit të saj”, thuhet në këtë ligj.

Vetëm ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Akan Ismaili, të cilin Uashingtoni e kishte detyruar Qeverinë e Kosovës ta tërhiqte, ka të deklaruar shtëpi, tokë dhe banesa në vlerë prej 3,538,130 euro, vetura në vlerë rreth 100 mijë euro, si dhe rreth 7 milionë euro para të gatshme, të cilat i ruan në Royall Bank Of Canada të Anglisë.

Duke e parë rrezikun që i kanosej, pas tërheqjes së tij nga të qenit ambasador i Kosovës në SHBA, Akan Ismaili mësohet se shumë pak para të gatshme ka mbajtur në Citi Bank të SHBA-së.

Akan Ismaili kishte kapital edhe në IPKO në vlerë prej 2,470,950 euro ose 55.55% të aksioneve, si dhe në Fundway LLC edhe 4, 917,050 euro ose 50% të aksioneve. /IndeksOnline/