16:15 / E Martë, 23 Prill 2024 / Gj. Sh

Raporti i DASh-it, LDK: Qeveria e udhëhequr nga Kurti, më e korruptuara ndonjëherë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë për EO se Departamenti Amerikan i Shtetit, ka konfirmuar pretendimet e kahershme të opozitës për nivelin e lartë të korrupsionit në Qeverinë Kurti.

Nga LDK e konsiderojnë se raporti është shqetësuese dhe i rëndë për Kosovën.  

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, thotë se raporti i Departamentit të Shtetit e ka konfirmuar atë që opozita është duke e thënë tash e sa kohë. Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, Selmanaj e quan më të korruptuarën ndonjëherë në Kosovë.

Ai thotë se ky raport ka konfirmuar po ashtu se ka cenim të pavarësisë së gjyqësorit e kufizim të lirisë së shprehjes.

“Në fakt raporti i DASh-it e konfirmojë atë çka ne si opozitë e kemi thënë tash e disa vite. Ndërkohë e demantoj logjikën dhe narrativen e Qeverisë se kjo Qeveri kinse është me duar të pastërta, kinse nuk ka probleme me korrupsionin, kinse ka vendosur standarde të reja. Prandaj kjo për fatin e keq për Kosovën duhet të vjen raporte ndërkombëtare për ta konfirmuar që në Kosovë paska korrupsion serioz qeveritarë, paska cenim të pavarësisë së gjyqësorit, paska kufizim të lirisë së shprehjes. Unë mendoj që raporti është objektiv, shumë objektiv profesional dhe ka konfirmuar atë që ne e kemi thënë”, thotë Selmanaj.

Selmanaj konsideron se Qeveria Kurt ka afera korruptive e skandale edhe jashtë Kosovës, duke përmendur rastin e Martin Berishajt e Nagip Krasniqin.

Selmanaj thotë se Qeveria Kurti “bashkëjeton me korrupsionin dhe ka logjikë korruptive”.

“Nuk ka mundësi assesi të del raporti tjetër kur kjo qeveri po ballafaqohet tash ma haptazi edhe me afera edhe skandale ndoshta edhe përtej kufirit Ballkanik. Problemi ose të them afera me rastin e Martin Berishajt, rasti i korrupsionit në KEK me Nagip Krasniqin, rasti i rezervave shtetërore me atë nderuarin atje që kishte restorantin edhe se fundmi tash me faljen e borxheve me ambalazhuesit e ujit. Kjo tregon që këta jo që janë kundër korrupsionit, këta janë kundër që të tjerët të jenë të korruptuar. Por për veti jo, këta kanë dëshirë që të jenë të korruptuar deri në fyt, të vjedhin masivisht të bëjnë para masivisht ama të tjerët mos ta bëjnë këtë. Në momentin e parë kur këtyre ju erdh shansi, këta kërkojnë që  këta jo që janë rezistencë ndaj korrupsionit por këta bashkëjetojnë me korrupsionin, këta kanë logjikë korruptive”, u shpreh ai.