13:42 / E Hënë, 27 Prill 2020 / indeksADMonline

Rënia e të majtës kudo

Shkruan: Ervin IBRAHIMI

Në fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit, partitë politike patën shpalosur programet e tyre për rrugën zhvillimore që duhet ta ndjekë vendi në të ardhmen. Ajo që vërehej ishte një orientim i tyre më i madh në politikat sociale të krahut të majtë social-demokrat, përfshirë edhe tek partitë që veten e deklarojnë si të djathta. Fakti që politikat e majta janë më atraktive për votuesin e varfër dhe të margjinalizuar, Kosovën e bën hapësirë të përshtatshme për promovim të këtyre politikave sidomos në fushata parazgjedhore. Shkalla e lartë e pabarazisë, veçanërisht ne aspektin ekonomik, duket se po imponon taktizim edhe tek partitë që veten e kanë shpallur si parti me orientim të djathtë. Në përgjithësi, një gjë pozitive që solli fushata e fundit parazgjedhore ishte fokusi dukshëm më i madh i partive politike në tema zhvillimore, për dallim nga të gjitha fushatat paraprake zgjedhore ku kryetemë e partive politike kanë qenë çështjet me karakter patriotik/nacionalist si kartë për përfitim të votës, me referencë kryesisht në veprimtarinë e tyre të së kaluarës nacionaliste/patriotike. Shkalla e papunësisë dhe e varfërisë, sondazhet që shfaqnin statistika alarmante mbi interesimin e të rinjëve për emigrim dhe tema të tjera si këto duket të kenë  patur efekt në partitë politike dhe t’i kenë detyruar ato që të fokusohen më tepër në tema zhvillimore krahas të tjerave si tema mbi relacionet e ardhme me Serbinë.

Në një terren të përshtatshëm, Lëvizja Vetëvendosje, parti me orientim të majtë social-demokrat doli fituese e zgjedhjeve. Social-demokracia është filozofi politike që mbështetë intervenimin e shtetit në ekonomi dhe shoqëri për të promovuar drejtësinë sociale, duke pasur në qendër të saj ekonominë Kejnsiane dhe shtetin e mirëqenies. Shteti i fortë qëndron mbi ekonominë për të arritur barazinë ekonomike dhe për të fuqizuar të margjinalizuarit. Për dallim, shteti liberal demokratik favorizon liberalizmin ekonomik të njohur edhe si liberal-kapitalizëm që bazohet në mbështetje të fuqishme të ekonomisë së tregut dhe pronës private.

Lëvizja Vetëvendosje (VV) e krahut të majtë social-demokrat fitoi zgjedhjet për herë të parë, për të themeluar më pas Qeverinë e cila arriti të jetojë për 50 ditë. VV-‘e vetmja vije e kuqe’ dështoi që në përpjekjen e parë për të organizuar një qeverisje që do të shtynte përpara politikat e majta.

Është interesant fakti që ngritja e saj në elektoratin Kosovar ka ndodhur në një kohë kur epoka e të majtës po perëndon kudo tjetër, përfshirë edhe në vendet me histori afatgjatë social demokrate, sic janë p.sh vendet skandinave. Mbretëria e Suedisë është simbol i social-demokracisë europiane me qeverisje të gjatë të Partisë Social Demokrate. Kjo parti në Suedi ka ndodhur të qeverisë edhe për periudha 40 vjeçare pa ndërprerë. P.sh në vitet 30-ta e deri në të 70-tat.  Në zgjedhjet e shtatorit 2018, kjo parti, dominuesja më e madhe social-demokrate ne Europë pësoi debaklin më të madh që nga lufta e parë botërore. Historikisht, kjo parti ka marrë përkrahjen më të madhe nga unionet vendore të punëtorëve. Por jo edhe kësaj radhe. Në 2018, Partia Social Demokrate e Suedisë mori vetëm 40% të votave të anëtarëve të unioneve. Në vitin 1999, Suedia, ikona e social-demokracisë europiane kishte vendosur që kompaninë ikonike shtetërore të saj – Volvo ta kalonte në pronësi private, duke ia shitur atë fillimisht Ford-it amerikan.

Social-demokracia ishte forca më e madhe politike në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 2000, socialistët ose social-demokratët ishin në qeverisje në 10 nga 15 vendet anëtare të BE-së. Aktualisht ata mbeten në qeverisje në 2 shtete (Spanjë, Portugali) dhe përfshihen në koalicione qeverisëse në vetëm 9 nga 28 vendet anëtare. Edhe më keq, këto numra nuk reflektojnë automatikisht votat e të majtëve të marra në kutitë e votimit – me vendin ku janë në qeveri, sepse në të shumtën e rasteve nuk arrijnë të kalojnë më tepër se 20 – 25 përqind. Ata sot në Europë përfaqësojnë ‘king-makers’, nëse mund të thuhet. Por sigurisht që nuk bëhet fjalë për pozita kryeministrore në Qeveri. Periudha e dominimint të social- demokracisë në Europë duket të jetë para përfundimit. Në zgjedhjet e fundit, Partia Socialiste në Francë doli në vendin e pestë, duke u mundur nga një outsider politik si Emanuel Macron. Në Gjermani, në zgjedhjet e fundit, Partia Social-demokrate e Gjermanisë pësoi rezultatin më të keq që nga Lufta e Dytë Botërore.

Për dallim nga Europa, në Amerikë dy partitë kryesore garuese ofrojnë vetëm alternativën liberal demokrate të pronës private. Sidoqoftë, në vitin 2008, nën presionin e krizës ekonomike, Obama me ‘New Deal’ kishte ndërmarrë masa ndërhyrëse të shtetit në ekonomi, duke përfshirë fushat e edukimit, energjisë së ripërtërishme dhe shëndetësisë. Përkundër që nga shumë kjo ishte parë si “rrëshqitje në socializëm”, “hyrje në nuancë social-demokratike”, qasje komuniste etj., Obama kishte arritur t’i kalojë shumë nga politikat e tij në Kongres, dhe populli i kishte përjetuar efektet e tyre. Por, zgjedhja – përgjigje e popullit Amerikan në vitin 2016 ishte Donald Trump nga partia konzervatore republikane, që siguron qeverisje me qasje të pastër kapitaliste.

Qeveria e udhehequr nga VV- ja e majtë social-demokrate ra edhe në Kosovë, në një mocion parlamentar votëbesimi të votuar nga 82 nga 120 deputetë sa ka gjithsej Kuvendi i Kosovës. Mbetet të shihet nëse përvojat dhe trendet e jashtme do të shkaktojnë ndryshime edhe në orientimin ideologjik/programor të kësaj partie. Ashtu siç ka ndodhur me qasjen rreth nacionalizmit.

Përvoja europiane e social-demokracisë me transformimet në ekonomitë e vendeve që sot lehtësisht mund të quhen varietete të kapitalizmit, tregon se qasja tradicionale socialiste/social-demokrate nuk garanton zhvilim të qëndrueshëm në një periudhë afatgjatë. Në vitet e 70-ta dhe në fillim të viteve 80, socializimi sovjetik ishte shndërruar në ëndërr edhe për të rinjtë perëndimorë. Por vetëm në fillim të 90-ve, burokratë të lartë shtetërorë, që e kishin ndërtuar “sistemin ideal” me mendjen dhe punën e tyre u gjendën në pozitë të varfësisë së skajshme, me as 5$ rrogë në muaj. Federata Ruse, pasardhëse e drejtëpërdrejtë e ish Bashkimit Sovjetik sot përbën varietet të kapitalizmit. Në Republikën e varfër Popullore të Kinës, thirrjet e ekonomistëve të shquar kinez qysh në vitet e 70’ta për rishikim të modelit ekonomik, përcilleshin me burgosje të tyre nga rezhimi qeverisës. Por reformat pro-kapitaliste të ndërmarra sidomos pas anëtarësimit të saj në Organizatën Botërore të Tregtisë e vendosën atë në pozitën e ekonomisë së dytë më të fuqishme në botë.

Përvojat ndërkombëtare socialiste dhe social-demokrate dëshmojnë se politikat e majta nuk ia vlejnë. Intervenimi i shtetit në ekonomi ia vlenë vetëm rreth politikave mjedisore dhe atyre gjinore.