10:55 / E Mërkurë, 29 Prill 2020 / indeksADMonline

Respekt për procedurat kushtetuese!

Shkruan: Halit Krasniqi

Tani në këtë proces politik kur po atakohen kërcënueshëm dy shtylla të kauzës sonë nacionale: kufijtë e ekzistencës së shtetësisë së Kosovës dhe gjithashtu kufijtë e tërësisë territoriale, duke shpërqendruar koncentrimin e energjive tona në debatin për dy nene të Kushtetutës, duke interpretuar atë nga dy këndvështrime se cila duhet të aplikohet nga Presidenti.

Kjo bëhet për të nxitur përplasjen në ty frontet e krijuara me programe të ndryshme, njëri për të rrënuar të arriturat e deri tashme dhe tjetri front jo shumë i unisuar, për të mbrojtur e zhvilluar këto të arritura. Në epilogun e këtij procesi, dy leksione do të dalin për brezin tonë në këto zhvillime që pastaj do të na shërbejnë për sa të ekzistojë ky rend kushtetues.

Këtë debat e kanë nxitur ata që nuk e kanë njohur këtë Kushtetutë fare me vite të tëra, duke e quajtur madje edhe me togfjalësh sarkastik. Kundërshtimet ndaj aktit themeltar të shtetit të ri, me 95% shqiptarë, mbahen mend nga publiku i gjerë. Fatmirësisht jemi në fazën kur edhe një pjesë e publikut që ka qenë i hamendësuar deri tani, do të bindët se të gjitha ato kundërshtime kanë qenë në interes të Serbisë dhe aspak në interes të shqiptarëve, as të Kosovës e as të Shqipërisë.

Qëndrimet e Presidentit aktual rreth Kushtetutës, kanë davaritur formulimet nebuloze nga aktorët në proces me preferenca jo objektive për procedurat e respektuara parimisht.

Në themelimin e kësaj legjislature janë respektuar të gjitha dispozitat kushtetuese. Në rastin e zgjedhjes së organeve drejtuese të Kuvendit, duke u konsumuar dy herë e drejta e propozuesit në respektim të procedurës për organet drejtuese të kuvendit dhe në zgjedhjen e qeverisë.

Meqenëse kemi deficite në edukimin demokratik dhe kemi ngarkesa ataviste në formimet e drejtuesve të subjekteve politike, kjo po krijon sfida e skepse në një situatë të ndjeshme politike e në rrethana të rënda që po kalon vendi ynë, kërkojnë integritet të personaliteteve.

Kërkohet reflektim në çdo sjellje e në çdo veprim në raport me faktorët vendorë dhe ndërkombëtarë. Duke qenë se ishte arritur një koalicion me dallime të mëdha në formim dhe përcaktime të lidershipit të tyre, në program dhe objektiva, në dizajnim dhe në metodat e veprimit, natyrisht edhe erdhi shumë shpejt deri te prishja e këtij koalicioni.

Kjo imponoi ngritjen e mocionit nga njeri partner qeverisës, ku me mbështetje edhe të opozitës mocioni është bërë i suksesshëm. Kjo nuk ishte hera e parë që ishte krijuar një gjendje e tillë. 

Por është hera e parë që mbi dy të tretat me vullnet të plotë, kërkojnë të vazhdojë mandati parlamentar i kësaj përbërje për të kërkuar gjetjen e zgjidhjeve për ta komponuar një qeveri të re në baza të kushtetutës.

Kjo gjendje pas mocionit të suksesshëm e detyron Presidentin për veprime konkrete, duke respektuar procedurat sipas Kushtetutës. Përkitazi me këtë, Presidenti kërkoi nga subjekti i parë që ta dërgoj propozimin për mandatarin e ri që të procedoj sipas Kushtetutës në Kuvend.

Këtë veprim, Presidenti e përsëriti publikisht në pesë komunikime me shkrim në adresë të subjektit të duhur. Respektimi i kësaj kërkese mungonte vazhdimisht nga subjekti politik, në çdo letër të kthyer në adresë të Presidentit. 

Në interpretim të Kushtetutës, përkitazi për dërgimin e emrit të mandatarit, të gjithë ata që thonë se partia e parë që ka dalë nga zgjedhjet e fundit, po e shfrytëzon vakumin kushtetues për mungesën afateve kushtetuese, bëjnë një formulim jo adekuat dhe konstatim të mangët, jo të plotë në përshkrimin e gjendjes faktike. 

Është e vërtetë që shprehimisht afati nuk është caktuar, sepse logjika e mundësisë së një oferte të tillë do ta grishte çdo subjekt e do ta ekzaltonte çdo fitues të zgjedhjeve për ta realizuar këtë procedurë. Nëse ndonjëherë krijohet një situatë e tillë, megjithatë Kushtetuta e vendit tonë nuk ka lënë vakum, sepse në këso rrethana Kushtetuta e ngarkon Presidentin në krye të tridhjetë kompetencave të tij për veprime konkrete që të garantoj funksionimin e institucioneve.

Në këtë rast, ngritët debat për nenin 82, pika 2 me foljen jokalimtare e cila injorohet dhe interpretohet njëanshëm nga të gjithë komentuesit.

Formulimi kushtetues ka bërë rregullimin për mundësinë që të vije në shprehje vullneti i presidentit, nëse nuk do të kishte kundër dy të tretat e Kuvendit. Kur ka përballë një vullnet të tillë, as folja jokalimtare mundet, nuk vije në shprehje. Madje, duhet të jetë i kujdesshëm në procedurat dhe plotësisht i matur në preferencat e veprimeve të më pastajme, duke respektuar formulimet kushtetuese.

Askush nuk e interpreton këtë pikë ashtu si e ka kuptimin. Formulimi është i atillë që nuk e detyron absolutisht dhe as nuk e obligon doemos Presidentin që ta shpërndaj Parlamentin. Por, një mundësi të tillë e lë në diskrecion të presidentit, kur për të ka vullnetin e shumicës së një legjislature të Kuvendit. Gjithsesi nëse nuk ka zgjidhje tjera.

Interpretimi tjetër me qëllim për ta lënë mundësinë e propozimit të kandidatit për kryeministër deri në infinit, është alogjik, sidomos në rastin e rizgjedhjes. Sepse, fituesi çdo herë këtë mundësi duhej ta priste, ta komponoj qeverinë dhe ta marrë pushtetin sa herë që të fitoj të drejtën kushtetuese për ta bërë qeverinë.

Për shkak se shprehimisht nuk ka një afat të caktuar për ta bërë propozimin, gjithashtu, nuk ka as përshkrim që të lejohet deri në pakufi të vullnetit të subjektit që i është rrëzuar një qeveri.

Në këtë rrethanë, Presidenti është i ngarkuar me obligimin kushtetues që ta respektoj procedurën duke kërkuar përsëri nga subjekti i parë, emër tjetër për ta mandatuar në Kuvend.

Por meqenëse ky veprim konkret i subjektit fitues nuk është i përshkruar shprehimisht për afatin e propozimit, nuk i lejohet asnjë subjekti të parë, me prepotencë të vazhdojë me veprime ekzekutive edhe përkundër Mocionit të mosbesimit.

Subjekti që udhëheq qeverinë në detyrë, mëton dhe insiston që ta mbajë sa më gjatë këtë mundësi, duke shtyrë propozimin e kandidatit tjetër për kryeministër, meqenëse nuk e ka as një të katërtën në Kuvend. Gjithashtu, edhe pse mungon formulimi shprehimisht i kompetencës konkrete për ndërhyrje të presidentit, kemi frymën logjike plotësisht të akceptueshme të kushtetutës që e obligon presidentin për veprime konkrete në formulimet e rregulluara në përshkrimin e kompetencave të Presidentit.

Në krye të kompetencave të presidentit, atë e obligon të garantoj funksionimin institucioneve të përcaktuara me kushtetutë. Presidenti është mbështetur në frymën kushtetuese në nenin 84, dhe 95, pika 5, decidivisht, duke respektuar procedurat e përshkruara.

Ky nen është respektuar me veprime konkrete me letrat në intervale të njohura për publikun. Komunikimi i gjashtë ka qenë i drejtpërdrejt dhe në prani të subjekteve tjera e në transmetim të drejtpërdrejtë. Edhe këtu, në këtë takim, ka mundur të propozohet mandatari në emër të subjektit që ka dal i pari në zgjedhjet e 6 tetorit. Me këto komunikime, është respektuar një procedurë obligative, të cilat cilësohën veprime të përgjegjësisë ndaj obligimeve kushtetuese të përshkruara në këtë nen. Kështu, me këto veprime procedurale është konsumuar me respekt të plotë procedura që e dedikojnë formulimet kushtetuese, duke kaluar në propozimin e dytë siç preferon neni përkatës në formulimin e plotë. 

Njohësit e proceseve politike, por edhe opinioni i gjerë e di se propozimin e kërkuar nga presidenti për mandatarin, nga lidershipi i subjektit përkatës, nuk e bënte edhe për arsye subjektive të një realiteti objektiv sfidues dhe të njohur publikisht. Për shkak të mungesës së numrave që përbëjnë shumicën e thjeshtë në përbërjen aktuale të Kuvendit. Kjo gjendje me mungesën e numrave për ta mbështetur propozimin e mandatarit, vetvetiu e bën të pa mundur realizimin e së drejtës kushtetuese për subjektin e parë në këtë rast. 

Meqenëse në Kushtetutë nuk përshkruhet një afat i caktuar për përgjigje ndaj kërkesës së presidentit për ta bërë një veprim kushtetues në procesin politik, gjithashtu është në kompetencën e tij të mos lejoj në infinit qasjet e pa përgjegjshme, sikurse reflektojnë përgjigjet në letrat, duke justifikuar hezitimin e mungesës së emrit për mandatar. Për ta mbuluar këtë, lidershipi i subjektit përkatës, është shërbyer me silogjizma semantik, duke krijuar një konflikt me realitetin objektiv dhe duke krijuar situatë me dilema për opinionin dhe madje edhe te ata me formime juridike.

Kjo nuk vlen për ata me edukim në të drejtën kushtetuese, që e kanë të akceptueshme frymën kushtetuese dhe kompetencat e presidentit.

Kjo procedurë e ndjekur nga presidenti në jetën tonë parlamentare dhe në vetëdijen institucionale, do të instaloj dy leksione: Përfitimi për vazhdimin e funksionimit të institucioneve aktualisht pa fërkime edhe më tej dhe dy, asnjëherë në të ardhmen nuk do të nënçmohen procedurat kushtetuese nga subjekti që quhet i parë qoftë edhe me një votë të vetme apo me një deputet më pak për ta bërë shumicën në Kuvend.

Këtë të drejtë duhet ta shfrytëzoj, sepse si procedurë është e drejtë e saj ekskluzive, por jo këtë të drejtë ta shtyj deri në infinit me kushtëzime ultimative.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i pa kundërshtueshëm dhe i pa kthyeshëm. Si i tillë ai është profesional pa dyshim dhe i respektueshëm. Kështu, me këtë rast që do të ndodhë, do të ketë edhe leksione të tjera që injektojnë mentalitetin tonë për ndërtimin dhe ngritjen e vetëdijes institucionale, për respektimin e obligimeve kushtetuese dhe respektimi i procedurave të saj.

Gjithashtu, ky rast, do të ndikoj në ndërtimin e raporteve në mes subjekteve politike për të kultivuar kauza reale dhe duke aplikuar praktika të dobishme të njëjta me demokracitë liberale që tani kanë krijuar shoqëri të emancipuara dhe stabilitet e perspektivë në zhvillimin e përditshëm në të gjitha poret e shoqërive të tyre.