19:17 / E Enjte, 08 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Shqipëria ka ndërprerjet më të larta të energjisë në rajon

Fondi Monetar ndërkombëtar deklaroi se Shqipëria është vendi me ndërprerjet më të mëdha të energjisë në Ballkan. Në një raport të posaçëm për infrastrukturën në Ballkanin perëndimor, FMN vërën se në vitin 2016, çdo konsumatori shqiptar i mungoi energjia elektrike për 97 orë.

Ky është niveli më i lartë i ndërprerjeve të energjisë në vendet në zhvillim të rajonit. Sipas FMN, për Kosovën, mungesa e energjisë në 2016-ën ishte 62 orë, ndërsa në Malin e Zi dhe Maqedoni energjia mungoi vetëm 27 orë dhe 5.6 orë për të gjithë vitin.

Sipas raportit, gjatë vitit 2016, çdo konsumatori shqiptar ju ndërpre 43 herë energjia elektrike ose gati një herë në javë. Në Kosovë, shifra ishte 35 herë ndërsa në Malin e Zi dhe Maqedoni energjia u ndërpre më pak se 20 herë.

“Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia vuajnë nga një furnizim i paqëndrueshëm me energji elektrike. Situata është më e mirë në Bosnje dhe Serbi, ku furnizimi me energji është i garantuar,” thotë raporti i FMN.

E krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, ndërerjet e energjisë në Shqipëri janë 50 herë më të larta. Sipas FMN në vendet e BE, energjia mungoi vetëm dy orë për të gjithë vitin, me vetëm një ndërprerje.

Reforma në energji është trumbetuar nga qeveria e Edi Ramës si një nga arritjet e saj më të mëdha. Në vitin 2015, qeveria rriti ndjeshëm çmimin e energjisë si për familjarët ashtu edhe për biznesin. Madje aksioni për energjinë u shoqërua me masa të ashpra represive, të cilat goditën më së shumti familjet e varfra.

Përgjatë vitit 2015 mijëra qytetarë të varfër u burgosën për shkak se nuk mund të paguanin dot faturat e dritave. Por ndërsa shteti ndëshkoi pa mëshirë qytetarët, shërbimi i energjisë ka mbetur sërish problematik me ndërprerje të shumta.

Sipas Fondit Monetar, infrastruktura energjetike vijon të mbetet një nga pengesat më të mëdha për të bërë biznes në Shqipëri.