15:57 / E Martë, 12 Qershor 2018 / indeksADMonline

Si e forcuam Serbinë në kurriz tonin?

Me miliona euro dëme dhe tkurrje të tregut u përballën prodhuesit vendorë nga mungesa e vendimeve të ish-ministres të Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, për t’i mbrojtur nga egërsia e politikave ekonomike të Serbisë. Ndoshta, padija ose mosguximi i saj, për të bërë çka do që do t’i ndihmonte ata që përmes vendeve të punës mbajnë qindra e qindra familje e pati goditur rëndë industrinë prodhuese në vend. Ajo këtë e arsyeton me rregullativën ligjore. Por të njëjtin argument – të ligjeve që thërrasin për masa mbrojtëse – e përdor ministri i tanishëm i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani.

Prodhuesit vendorë kanë humbur shumë nga mungesa e masave mbrojtëse ndaj produkteve të importuara, të cilat janë shitur nën koston e prodhimit të tyre në Kosovë.

Mungesa e veprimeve konkrete nga qeverisja e kaluar, më saktësisht nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, të cilën e drejtonte Hykmete Bajrami, i pati përballur ata me konkurrencë të pabarabartë, nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Për shembull, mielli i importuar nga Serbia në Kosovë është shitur për gati 40 për qind më lirë se kostoja e prodhimit të miellit nga mullisët kosovarë.

Mbi 80.806,3 hektarët të mbjellë me grurë, me një prodhimtari prej 358.017 tonë, nuk kanë mundur të garojnë me dumpingun e çmimit nga shteti fqinj.

Meqë një kilogram miell i importuar është shitur me 0.19 centë, tregu – që normalisht kërkon çmimin më të lirë – ka shtyrë drejt rekordeve në import prej 3.8 milionë kilogramësh në periudhën tetor-nëntor 2015.

Qumështi i importuar nga Bosnja dhe Hercegovina, për shkak të çmimit të ulët i ka goditur rëndë 3 mijë bujq fermerë që kanë ferma me nga 5 e deri 250 lopë dhe mbi 30 përpunues të qumështit.

Me gjithë kërkesat e shumta nga ana e tyre, për të ndërmarrë veprime që do t’i mbronin prodhimet e tyre ndaj politikave agresive ekonomike të shteteve tjera gjatë qeverisjes së kaluar, asnjë veprim konkret nuk qe bërë.

Ndoshta nga padija për të krijuar ambient të qëndrueshëm për ta, apo mosguximi për të marrë hapa të vendosur, mosveprimet e ish-ministres Bajrami i kanë lënë në mëshirë të vullnetit të të jashtmëve prodhuesit vendorë.

Megjithëse ligjet në fuqi ia garantojnë të drejtën shtetit që të ndërmarrë hapa, ata kanë munguar krejtësisht gjatë pothuaj një mandati të plotë sa Hykmete Bajrami drejtonte me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Pse-në e di vetëm nga ajo.

*

Dumping është term që përdoret për të treguar praktikën e eksportimit për shitje të një mire(produkti) me çmim shumë më të ulët se çmimi me të cilin e shet prodhuesi i shtetit në të cilin eksportohet.Ndonjëherë edhe më i ulët se çmimi me të cilin ky shtet e prodhon atë të mirë, pra atë produkt. Organizata Botërore e Tregtisë nuk e liston si veprimtari të kundërligjshme, përveç nëse shteti ndaj të cilit aplikohet kjo taktikë mund t’i tregojë efektet negative që i shkakton në ekonominë e tij. Në librat e ekonomisë të gjithë studentët mësojnë që për t’u përballur me dumping shtetet përdorin tarifa të caktuara, në mënyrë që t’i mbrojnë industritë e caktuara nga çmimet grabitqare.

Serbia dhe shtetet tjera e kanë përdorur këtë mënyrë të marrjes së tregut të huaj në raport me Kosovën, duke ua bërë pothuaj të pamundur prodhuesve kosovarë që të jenë konkurrues në treg. Dhe Kosova nuk ka bërë pothuajse asgjë, deri në vendimet e fundit të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, për masa mbrojtëse në import të miellit dhe të materialit ndërtimor nga argjila(bllokave).

Dy vendimet e fundit vendosin tarifë të përkohshme prej katër centësh në kilogram mielli dhe dy centësh në bllok për importet nga shteti fqinj. Si dhe tarifa prej 17 për qind në importin e qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina – i cili akoma nuk është ekzekutuar në terren. Vendimi për qumështin vjen pasi është konstatuar se dumpingu në çmim të qumështit nga BEH ka bërë që të rritet për 20 për qind importi nga ky vend, duke dëmtuar rëndë prodhuesit vendorë.

Para këtyre vendimeve, çmimi mesatar i deklaruar për miellin e importuar nga Serbia ishte 0.19 centë për kilogram. Bazuar në koston reale të prodhimit, çmimi i miellit të cilin Serbia e eksportonte në Kosovë ishte për 31.80 për qind më i lirë se kostoja e prodhimit të tij në Kosovë.

Por masat mbrojtëse për miell efektin e kanë pasur pothuaj të menjëhershëm. Importi i miellit nga Serbia ka rënë nga 3.8 milionë kilogramë në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, në 800 mijë kilogramë. Ose në vlerë monetare, nga 780 mijë euro, në 194 mijë euro.

Ministri Hasani, i pyetur nga Klan Kosova, ka thënë se vendimet i ka marrë bazuar në legjislacionin në fuqi – Ligjin për Antidumping dhe Masa Kundërbalancuese.

“Këto masa japin masa mbrojtëse, duke respektuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe atë të CEFTA-s”, ka nënvizuar ai.

Por paraardhësja e saj në këtë post, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se ajo nuk i ka marrë këto masa për të respektuar ligjet në fuqi dhe marrëveshjet për tregti të lirë.

Ajo ka theksuar se duhen bërë analiza të detajuara dhe hetime të mëtejme për ta vërtetuar efektin e masave mbrojtëse në import të miellit.

Një lexim i thjeshtë i Ligjit për Anti-dumping dhe Masa Kundërbalancuese e nxjerr të vërtetë pjesën e parë të deklaratës të ministrit Hasani, rrjedhimisht të pavërtetë atë të ish-ministres Bajrami.

Më saktësisht, nenet 3,4,5,6,7,8 nga Kreu II përcaktojnë qartë rastet kur vendi merr masa mbrojtëse për produktet të cilat goditen nga dumpingu.

Njëjtë parasheh edhe marrëveshja e CEFTA, përkatësisht pikat 1 dhe 2, të nenit 22 për Masat Anti-Dumping, ku theksohet se nëse një palë e vëren se në tregtinë me një palë tjetër po ndodh dumping, mund të marrë masa të përshtatshme, për ta normalizuar çmimin.

Deklaratat e ish-ministres Bajrami shtrojnë shumë pyetje, veçanërisht të dimensionit ligjor, të tilla si:

Cili ishte legjislacioni që e pengonte t’i mbronte prodhuesit vendor?,

Për çfarë marrëveshjesh flet ajo, respektimi i të cilave e paskësh penguar ta bëjë këtë gjë(meqë shihet se as ligjet e vendit, as marrëveshjet ndërkombëtare nuk pengojnë masat mbrojtëse)?,

Çfarë analizash dhe hetimesh duhet të bënte MTI-ja gjatë mandatit të saj si ministre, për të matur efektin e masave në import mielli, kur shihet sheshit efekti që kanë pasur ato që nga vënia në zbatim?,

Dhe, kush e pengoi që t’i bënte gjatë gati një mandati qeverisës?

Temat: