14:48 / E Premte, 03 Maj 2024 / k.v

Shtyhet gjykimi për vrasjen në Hajvali

Me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Shkumbin Kryeziu, avokatit Florent Latifaj, është shtyrë gjykimi në rastin ku Kryeziu po akuzohet për vrasje të rëndë.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti bëri të ditur se avokati Latifaj më 30 prill 2024 ka paraqitur në gjykatë një kërkesë për shtyrje të seancës me arsyetimin se në të njëjtën kohë ka seancë tjetër në këtë gjykatë.

Pas kësaj kërkesë, gjykatësi Shyti tha kanë njoftuar edhe shërbimin korrektues për revokimin e sjellës së të akuzuarit Kryeziu në këtë seancë, në mënyrë që të mos krijohen shpenzime.

I pandehuri Kryeziu po akuzohet se së bashku me të miturin A.K pas mosmarrëveshjeve të mëhershme me të ndjerin V.Xh, me dashje që ta privoj nga jeta në oborrin e shkollës në Hajvali e kishin therur me thika në trup e që si pasojë e plagëve të marra Xh., kishte ndërruar jetë në QKUK, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, i Kryeziu akuzohej edhe për veprën penale mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve, vepër për të cilën kishte pranuar fajësinë me 16 janar 2023 gjatë shqyrtimit fillestar.

Kurse, për të miturin A.K. është zhvilluar një procedurë tjetër dhe i njëjti është dënuar tashmë.

Sipas aktakuzës së ngritur me 29 dhjetor të vitit 2022, thuhet se me 10 dhjetor 2021, rreth orës 21:25, në rrugën “Tom Lantosh” në fshatin Hajvali, Komuna e Prishtinës, dyshohet se i akuzuari Shkumbin Kryeziu me të miturin A.K në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasje e rënd dhe mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas aktakuzës pasi kanë zbritur nga autobusi dëshmitari Kujtim Pacolli me tani të ndjerin V.Xh, në të cilin autobus ishte edhe i pandehuri Shkumbin Kryeziu, tani i ndjeri V.Xh dhe dëshmitari Kujtim Pacolli janë nisur në drejtim të shtëpisë së tyre duke i rënë rrugës më të shkurtë në oborrin e shkollës “Afrim Gashi” në Hajvali, ku te oborri i shkollës ishin i mituri A.K., dëshmitarët Gojart Sejdiu dhe Mirsad Haxholli, ku i mituri A.K. i drejtohet tani të ndjerit V.Xh me falët “çka po më kqyr”.

Ndërsa tani i ndjeri V.Xh ia kthen duke e sharë nga distanca prej rreth 3 metra, dhe të njëjtin moment i mituri A. nxjerr thikën nga xhepi i djathtë, derisa dëshmitari Kujtim ka reaguar menjëherë duke i thënë tani të ndjerit V.Xh “ik se ka thikë” dhe në ato momente ka arritur i pandehuri Shkumbin Kryeziu, i cili me thikë në dorë së bashku më të miturin A.K e kanë ndjekur tani të ndjerin V. me të cilin në ikje ishte dëshmitari Kujtim Pacolli, ku i njëjti është rrëzuar, ndërsa i pandehuri Shkumbin me të miturin A. kanë vazhduar ta ndjekin tani të ndjerin V. që të dy me thika në duar dhe nga hakmarrja për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishte i pandehuri Shkumbin Kryeziu me të ndjerin V.XH me dashje që ta privojë nga jeta.

Tutje sipas aktakuzës i pandehuri Shkumbi dhe i mituri A. e godasin me thika në trup tani të ndjerin V. mirëpo ata kanë vazhduar që ta ndjekin dhe derisa ishte duke shkuar dëshmitari Kujtim në drejtim të tani të ndjerit V.Xh i pandehuri dhe i mitur i janë vërsulur me thika në dorë dëshmitarit Kujtim duke i thënë “Ik se ta bajna ma zi se atina”.

Sipas aktakuzës dëshmitari Kujtim ka vazhduar në drejtim të tani të ndjerit V. i cili në ato momente ishte ende duke ikur kur përnjëherë ishte rrëzuar për toke dhe ka qenë i tërë i mbuluar me gjak, duke iu drejtuar dëshmitarit Kujtim me fjalët “thirre emergjencën” e pas kësaj nuk ka qenë në gjendje të flasë , ndërsa rreth orës 23:25 ka ndërruar jetë në QKUK, si pasojë e plagëve të marra.

Me këtë i pandehuri Shkumbin Kryeziu ne bashkëkryerje me të miturin A.K ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 par. 1 pika 1.8 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë , në vendin, kohën dhe ditën e njëjtë si në dispozitivin I të kësaj aktakuze, i pandehuri Shkumbin Kryeziu në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armë, ka mbajtur në pronësi armë, përkatësisht një thikë me gjatësi 6 cm, me mbishkrim “Leatherman Sidekick” të cilën e ka përdorur për ta kryer veprën penale si ne dispozitivin nën 1 të aktakuzës dhe të cilën policia e kanë gjetur dhe sekuestruar nga pandehuri Shkumbin Kryeziu. gjate arrestimit te tij.

Me këtë i pandehuri Shkumbin Kryeziu, ka kryer veprën penale Mbajtje në pronësi kontroll dhe posedim të paautorizuar të armeve nga neni 366 par. 1 të KPRK –Së.