17:07 / E Mërkurë, 05 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Si ndikoi rrëfimi i Vasfijës te shumë viktima të dhunës seksuale

2018-ta po konsiderohet të jetë vit historik për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ishte Vasfije Krasniqi-Goodman, ajo që për herë të parë foli publikisht se ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës.

Rrëfimi i saj shërbeu si motiv që shumë gra të tjera të marrin zemër dhe të shpalosin historinë e tyre, ku shumë gra kanë marrë guximin për të treguar në familjet e tyre se kanë qenë viktima të dhunës seksuale.Vasfija rrëfimin e saj e ka dhënë në kuadër të fushatës “Bëhu zëri im”, të cilën Qendra Kosova për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës e ka organizuar gjatë këtij viti, e sot në një tryezë diskutimi është diskutuar për ndikimin që ka pasur rrëfimi i saj. Me këtë rast është lansuar edhe një video mesazh sensibilizues i realizuar nga Vasfije Krasniqi-Goodman, ku ajo edhe një herë ka bërë thirrje për një mbështetje më të fuqishme për të gjithë të mbijetuarit. Kryetarja e QKRMT-së, Feride Rushiti, ka thënë se 2018 ka qenë vit historik për viktimat e dhunës seksuale. Ajo ka përmendur se në këtë vit ka filluar t’iu njihet statusi viktimave të dhunës seksuale dhe ka filluar kompensimi ndaj tyre. Ndërsa, ka thënë se është i historik edhe për faktin se për herë të parë një grua ka rrëfyer publikisht historinë e saj.     Ndërkaq nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, Kadire Tahiraj, ka thënë se rrëfimi i Vasfije Krasniqit-Goodman ka pasur efekt pozitiv te të gjitha të mbijetuarat e dhunës.

Tahiraj është shprehur se ajo me rrëfimin e saj ka thyer heshtjen dhe një tabu që ka qenë në shoqërinë kosovare. Madje, ajo ka treguar se si një grua ka vendosur të rrëfehet të bashkëshorti i saj vetëm pasi kishte dëgjuar rrëfimin e Vasfijës. Ajo ka thënë se shumë e rëndësishme është edhe mbështetja e familjes, ku ka përmendur rastin kur ditën kur është rrëfyer Vasfija vëllai i saj ka qenë prezentë dhe se në fund u është drejtuar të gjithëve në sallë duke iu thënë se ai është vëllai i të gjithave.

Mirlinda Sada nga Medica Gjakova, ka thënë se rrëfimi ka sjellë reagime të shumta, ku ndër të tjera ka treguar se çka kanë thënë viktimat e dhunës. Në anën tjetër, sociologia Linda Gusia, tha se është me rëndësi të ceket se ka një histori të gjatë të grave që kanë tentuar të thyejnë heshtjen përkundër deklaratave të politikanëve se “nuk është kjo temë që duhet me u hap”, dhe që sipas saj, të njëjtit nuk e kanë votuar ligjin.

Ajo u ndal edhe te paraqitja publike, ku tha se Vasfije Krasniqi- Goodman, në veten e parë, me zërin dhe historinë e saj, ka arritur t’i prekë të gjithë. Ndërkaq, Igballe Rugova, drejtoreshë e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës, ka folur për atë se a ka pasur drejtësi për viktimat e dhunës seksuale. Ajo tha se vazhdimisht është kërkuar drejtësi, por që sipas saj gjithmonë ka qenë e stopuar.

Ngjarja e sotme është mbajtur në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit, ku është diskutuar tema “Jehona e zërit të saj: Ndikimi i paraqitjes publike të zonjës Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.