10:59 / E Premte, 11 Mars 2022 / B O

TЁ MЁSOJMЁ NGA E KALUARA

Shkruan, Valon Osmani

Përmirësimi i çështjeve të personave me nevoja të veçanta (aftësi të kufizuara) dhe personave tjerë pa dallim, bëhet me vullnet politik duke ndërmarrë veprime konkrete. Viti 2022, i shpallur nga kjo administratë – vit i personave me aftësi të kufizuar është për tu përshëndetur, sepse tregon gatishmërinë për ndryshimin e gjendjës aktuale, çoftë duke u përpjekur për rritjen e numrit të punësuarve, përmirësimin e qasjes nepër ndërtesa dhe rrugë, rritjen e pagës minimale apo avancimin e gjendjës shëndetësore, por të besosh se këto ndryshime janë të mundshme pa u ndërmarrë projekte konkrete është iluzion. Ndryshimi i kësaj gjendje të rëndë është domosdoshmëri sepse tashmë është bërë barrë për personat në fjalë. Për ta thënë ndryshe, të krijosh trupa institucional duke shpresuar se gjendja ndryshon dhe, të mos i realizosh përpjekjet në veprime konkrete, në fakt, i ngjason të kaluarës.

E kaluara na tregon se, Kryeministri i Kosovës në vitin 2006, kishte krijuar Këshillin Nacional Për Personat Me Aftësi Të Kufizuara për të krijuar mundësi të barabarta në edukim dhe punësim; kurse, në vitin 2008, Qeveria e atëhershme kishte aprovuar propozimin për pregaditjen e Planit Nacional Për Personat Me Aftësi Të Kufizuara. Padyshim se vetëm kur është vepruar konkretisht impakti ka qenë i dukshëm dhe nuk ka munguar. Në anën tjetër, edhe pas gjithë këtyre viteve, diskriminimi ka vazhduar dhe, për shumë persona të kësaj kategorie, ka pamundësuar vazhdimin e edukimit të lartë gjë që nuk është marrë aspak seriozisht. Të dhënat për koston indirekte e spjegojnë më së miri situatën. 

Personat me aftësi të kufizuara përbëjnë 10٪ deri në 15٪ të popullatës totale në Kosovë. Në përqindje përfshihen personat me paraplegji dhe kuadriplegji, të verbër, me down syndrome, etj. Kërkimi i thjesht në internet na i gjen të dhënat për sfidat në punësim, edukim, problemet në qasje, etj; por të dhënat për koston indirekte të personave që jetojnë në Kosovë (humbjet e pagave, produktivitetit, (mos)zhvillimit të kapitalit njerëzor, dhe beneficioneve tjera) nga pamundësia për tu bërë pjesë e tregut të punës mungojnë. Megjithëse kjo mungesë e të dhënave mbetët e vërtetë derisa po e shkruaj këtë artikull, hulumtimet e bëra në Amerikë për paraplegjikët dhe kuadriplegjikët tregojnë se, përveç kostove tjera, këta persona pёrballen me kosto indirekte qё llogaritet afёrsisht deri në 65,000€ nё baza vjetore. Kjo kosto, edhe pse mund të ndryshoj në vlerë, është relevante edhe për kategoritë tjera të personave me aftësi të kufizuara.

Zhvillimi ekonomik në Kosovë është më i ultë në raport me zhvillimin ekonomik në Amerikë dhe si pasojë e bënë të diskutueshme aplikueshmërinë e shifrës së kostos indirekte të personave me aftësi të kufizuara (përkatësisht paraplegjikët dhe kuadriplegjikët) në Kosovë, mirëpo ekszistenca e kostos është vështirë të kontestohet. Sigurisht, nga perspektiva makroekonomike, kostoja indirekte ka ndikim të drejtëpërdrejtë në ekonominë e një vendi dhe meqenëse i kontribuon outputit ekonomik rezulton me (mos)krijimin e vendeve të reja të punës. Porse, kjo llogaritje është anashkaluar gjatë diskutimeve për përmirësimin e gjendjës ekonomike të këtij komuniteti në Kosovë, edhe pse zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe punësimi për këta është konstatuar i rëndësishëm.  

Pra, edukimi është element i domosdoshëm për zhvillim personal dhe, për ta arritur këtë objektiv, Kuvendi ka miratuar ligjin për aftësimin dhe riaftësimin e personave me aftësi të kufizuara mirëpo siç mund ta tregojnë të gjeturat në vijim gjendja e rëndë ekonomike shpeshherë e pamundëson realizimin e objektivit të synuar. Të gjeturat e një OJQ-je vendore tregojnë se 70٪ e respodentëve të pyetur janë shprehur se nga faktorët kryesor për ndërprerjen e edukimit të lartë është gjendja e rëndë financiare. Në anën tjetër, ka edhe persona që kanë arritur të ndjekin edukimin e lartë siç është rasti i një personi të verbër, i cili gjatë bisedës muaj më pare më tregoj se e kishte të përfunduar masterin dhe kishte aplikuar në 10 vende të punës por, edhe pse i kualifikuar, në atë kohë ishte i pa punë si shumë persona tjerë me aftësi të kufizuara.

Andaj, administrata aktuale, nëse me të vërtetë e ka për qëllim zhvillimin ekonomik, do të duhej t’i prioritizoj çështjet që kërkojnë zgjidhje të shpejtë. Nga paratë e organizatave buxhetore mund të financohen projektet më me ndikim sepse, bazuar në të dhëna, nuk e ka luksin t’i përjashtoj personat me aftësi të kufizuara për asnjë moment. Kjo përshkak se këta persona e përbëjnë një pjesë të madhe të popullatës totale në Kosovë dhe rrjedhimisht i kontribuojnë (mos)zhvillimit ekonomik. Duke i përdorur standardet dhe procedurat ekszistuese të kuadrit ligjor vendor, pra vetëm përmes veprimeve konkrete, mund të shkohet shumë lehtë drejtë këtij zhvillimi. Për më shumë, duke pasur parasysh se shumë nga këta persona përfaqësohen nga OJQ-të dhe të tjerë edhe i qeverisin ato, konsideroj se përkrahja financiare përmes mekanizmit të thirrjeve publike është një ndër mundësitë që e ka në dispozicion. Me veprime afirmative duke përkrahur financiarisht projektet dhe blerë shërbimet e OJQ-ve, do të krijohen vende të punës dhe hapja e organizatave të reja bëhet atraktive. Se fundmi, OJQ-të aktuale dhe ato të rejat do t’i ndihmonin pastaj kësaj administrate zgjidhjen e problemeve dhe integrimin e personave me aftësi të kufizuara.