20:19 / E Shtunë, 15 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Mirëpres bashkëpunim nga Limaj e Ahmeti për dialogun me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që muajt e fundit ka luajtur rolin udhëheqës të bisedimeve Kosovë-Serbi ka përshëndetur formimin e një delegacioni negociues sot në Kuvendin e Kosovës.

Miratimi i rezolutës së propozuar nga Partia Socialdemokrate bëri që të zgjidhen 12 anëtarë të një ekipi negociator që do të udhëhiqet nga Shpend Ahmeti, Kryetar i PSD-së dhe Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate.

Në një postim në Twitter, Thaçi ka shkruar se mirëpret bashkëpunimin me ta për të arritur një marrëveshje finale me Serbinë.

“E mirëpres vendimin e rëndësishëm të krijimit të ekipit negociator për dialogun Kosovë-Serbi që do të udhëhiqet nga Z.Ahmeti dhe Z.Limaj. Mirëpres punën e përbashkët me ta për të arritur marrëveshjen finale që do të hap dyert e BE-së, OKB-së dhe NATO-s për Kosovën”, shkroi Thaçi në Twitter.

Me 59 vota për dhe dy abstenime, Kuvendi i Kosovës ka miratuar projekt-rezolutën për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Seanca u bojkotua nga LDK dhe VV. /Indeksonline/