14:39 / E Premte, 11 Tetor 2019 / indeksADMonline

“Venecia” miraton raportin përfundimtar për presidentin Meta

Komisioni i Venecias ka diskutuar dhe më pas miratuar raportin përfundimtar të opinionit mbi anti/kushtetueshmërinë e vendimit të presidentit të Republikës Ilir Meta, për anulimin dhe shtyrjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Mazhoranca është përfaqësuar në këtë mbledhje, ku pritet të dalë opinioni i plotë i “Venecias”, nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla,  kreu i Komisionit Hetimor parlamentar i ngritur për verifikimin e ligjmërisë së dekretit të kreut të shtetit për lokalet, Ulsi Manja, si dhe anëtarja e këtij komisioni, Klotilda Ferhati.

Ndërsa, presidenti Meta, i cili nuk është paraqitur në “Venecia”, është përfaqësuar nga shefi kabinetit, Arben Cici, këshilltari ligjor, Bledar Dervishi dhe këshilltarja për Integrimin, Ilda Zhulali.

Ekspertët e Komisionit të Venecias “zbarkuan” muajin e kaluar në Tiranë, në kuadër të kërkesës për dhënien e një opinioni nga Komisioni Hetimor i ngritur për verifikimin e ligjshmërisë së vendimit të Metës për çdekretimin e 30 qershorit si datë të paracaktuar për mbajtjen e lokaleve.

Më datë 27 shtator, u publikua raporti paraprak ku shkruhej ndër të tjera se sipas “Venecias”, presidenti ka tejkaluar kompetencat që i jep Kushtetuta, por duke theksuar nga ana tjetër se nuk bëhej fjalë për një shkelje të rëndë, në bazë të të cilës mund të merret vendimi për ta shkarkuar.

“Në mungesë të një dispozite ligjore, Presidenti mund të anulojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, vetëm në një situatë e cila plotëson kriteret për marrjen e masave të jashtëzakonshme”. Edhe atëherë Presidentit i duhet një bazë ligjore specifike për të shtyrë zgjedhjet.”- vërehej në raportin paraprak.

Nga ana tjetër, Presidenca publikoi qendrimin mbi draft-opinion e  “Venecias”, ku Meta kishte shkruar edhe një letër adresuar presidentit të Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio. Në këtë letër theksohej se disa çështje kyçe nuk janë marrë parasysh në përpilimin e raportit paraprak. Meta nënvizonte se: “Nëse ky projekt miratohet siç është atëherë çdo lider autokrat mund ta intepretojë këtë opinion të Komisionit të Venecias në favor të tij”

Në një prej pikave të listuara, ku Meta shpaloste problematikat që ka konstatuar në raportin paraprak, shtonte se ekspertët e “Venecias”, “kanë tejkaluar objektin e punës së tyre duke ndërhyrë në kompetencat dhe vlerësimin e OSBE/ODHIR, institucioni më i lartë i autorizuar për monitorimin dhe trajtimin e çështjeve zgjedhore.”

Më tej në letrën për presidentin Buquicchio, Meta shton se projekt-opinioni është shpeshherë kontradiktor, i pabalancuar dhe jo i plotë. Sipas presidentit, drafti nxirrte disa konkluzione që nuk përputhen me mandatin e Komisionit të Venecias si organ këshillimor.

“Projekt-opinioni është shpeshherë kontradiktor, me vlerësime diametralisht të kundërta për të njëjtën çështje. Krijohet përshtypja se ekspertët e Komisionit të Venecias janë udhëhequr apriori nga disa ide fikse duke bërë që faktet dhe analiza të mos kenë përputhje racionale me konkluzionet e projekt-opinionit; Paraqitja e fakteve dhe rrethanave në projekt-opinion është e pabalancuar dhe e paplotë.”, shkruhet ndër të tjera në letër.