13:54 / E Diele, 29 Korrik 2018 / indeksADMonline

​Vonesat për kryerjen e rrugës Prishtinë-Podujevë, nervozojnë udhëtarët

Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Podujevë, po shkon me ritëm të ngadaltë. Në fillim të majit të këtij viti kishte filluar zgjerimi i segmentit “Luzhan-Gllamnik”, me gjatësi prej katër kilometrave, derisa ende nuk është as përafërsisht gati që të kryhen punimet.

Kjo po i nervozon qytetarët e Podujevës të cilët kalojnë çdo ditë në këtë rrugë, e cila krijon kolona me kilometra si pasoj e punimeve të ngadalta. Qytetarët shprehet të zhgënjyer me ritmin e punimeve duke thënë se është e pakuptimtë që ky segment që po zgjerohet të zgjasë kaq shumë.

Pos qytetarëve që kalojnë me vetura nëpër rrugën tashmë të prishur, probleme dhe dëme, vonesat e përfundimit të kësaj rruge, po u shkakton edhe bizneseve që janë përskaj rrugës. Hajriz Shala qytetarë nga komuna e Podujevës, ankohet se zgjatja e punimeve për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, po bëhet e tepërt, duke qenë se po u shkakton probleme kalimit të automjeteve të cilat presin në kolona edhe me orë. Sipas Shalës, janë shumë faktor për këtë vonesë në punime, por ajo që pëson me së shumti janë qytetarët dhe biznesi që është për gjatë kësaj rruge.

Edhe Ilmi Sekiraqa shprehet i indinjuar me vonesat që po bëhen në përfundimin e kësaj rruge. Ai thotë se qytetarët që kalojnë çdo ditë kësaj rruge, presin me orë për të kaluar pjesën që po ndërtohet rruga.Xhafer Krasniqi, thotë se mungesa e punimeve për ta kryer sa më shpejt këtë pjesë të rrugës, po u shkakton probleme në qarkullim, pasi përveç pritjes në kolona, po u dëmtohen edhe veturat, probleme me pluhurin e tjera.

Edhe në Ministrisë së Infrastrukturës e pranojnë se ka shqetësime për ngadalësim të punimeve, por janë të bindur se brenda afat do të përfundojnë punimet.

Këshilltari politik i ministrit Lekaj, Fatos Mani, ka thënë për KosovaPress, se janë njoftuar me shqetësimet e qytetarëve që kalojnë në atë pjesë por edhe bizneseve dhe për këtë edhe vet ministri ka dal në teren.

Mani shton se janë dy kompani që po i kryejnë punimet në këtë rrugë. Derisa, në pjesën ku po i kryen punimet AlTrade, ka probleme pronësore.

Afati për përfundimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë janë dy vjeçare, derisa Ministria pret që ky afat do të respektohet dhe rruga të jetë gati.

Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Podujevë, segmenti Lluzhan-Gllamnik” me gjatësi prej katër kilometrave ka filluar të ndërtohet në fillim të muajit maj të këtij viti.