21:38 / E Mërkurë, 20 Qershor 2018 / indeksADMonline

1 euro dita, burra, gra e të mitur punojnë në burgjet e Kosovës

Aktualisht nëpër Qendrat Korrektuese dhe të Paraburgimit në Kosovë janë gjithsej 1 mijë e 537 të burgosur që po vuajnë dënimin e tyre.

Të shpërndarë në nëntë Qendra, ata brenda kryejnë edhe punë të ndryshme, ku paguhen me nga një euro për një ditë pune.

Në një përgjigje për Indeksonline, Jeton Kabashi, zyrtar për komunikim brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës ka thënë se punët që kryejnë të burgosurit janë: bukëpjekës, lakanderi, bujqësi, pastrim, etj.

Sipas tij, të burgosurit e angazhuar në punë kanë kushte të favorshme të punës.

“Të burgosurit janë të angazhuar në punë të ndryshme, si në kuzhinë, lavateri, punë bujqësore, pastrim, axhustator, zdrukthëtar, bukëpjekës, etj , Pagesa ditore është 1 euro dhe kjo pagesë shkon në llogaritë e tyre bankare dhe ata mund të i shfrytëzojnë këto për nevojat e tyre në burg. Të burgosurit kanë kushte të favorshme të punës”, ka thënë Kabashi.

Vetëm në Qendrën Korrektuese në Dubravë janë 812 të burgosur dhe prej tyre 355 janë aktualisht të angazhuar në punë. Derisa, në Burgun e Sigurisë se Lartë janë 159 të burgosur dhe prej tyre 80 janë të angazhuar në punë.

Në Qendrën Korrektuese në Lipjan janë 79 të burgosur dhe të angazhuar në punë janë 41, prej këtij numri 27 janë femra, 10 të mitur, dhe 4 kundërvajtës. Ndërsa, në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan janë 94 të burgosur, ku numri i të angazhuarve në punë është 11. Nga këta 4 janë të paraburgosur (me leje të gjykatës), raporton Indeksonline.

75 të burgosur janë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku prej tyre 16 janë të angazhuar në punë, 11 janë të dënuar e 5 të paraburgosur (me leje te gjykatës).

“Në Qp Pejë janë  69 të burgosur 7 prej tyre janë të angazhuar në punë  (me leje te gjykatës).Në Qp Mitrovice janë 33 të burgosur 16 janë të angazhuar në punë prej tyre 4 te paraburgosur (me leje te gjykatës). Në Qp Gjilan janë  85 të burgosur, prej tyre 15 të angazhuar në punë, nga ky numër 1 është I paraburgosur (me leje të gjykatës)”, bëhet e ditur në përgjigjen e Kabashit për Indeksonline.

Ndërsa, në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë janë 111 të burgosur, ku prej tyre 71 janë të angazhuar në punë.

Nga numri i përgjithshëm i të burgosurve, numri i të angazhuarve në punë është 612./Indeksonline/