23:34 / E Mërkurë, 21 Mars 2018 / indeksADMonline

15 sekondat drithëruese të votës vendimtare për demarkacionin

Në Kuvendin e Kosovës sot u arrit ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi me 80 vota pro.

Por u prit disa sekonda që të arriheshin 80 vota pasi numri po qëndronte 79. Ajo çfarë ndodhi është se deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi arriti që të bindet dhe të votojë në sekondën e fundit, pro ratifikimit të marrëveshjes kufitare me Malin e Zi, raporton Indeksonline.

Madje një gjë të tillë e ka deklaruar gjatë ditës vetë Kelmendi. Ai tha se në rast që votimi varet për një votë në fund, ai do të votojë por që do të presë deri në fund të shohë se si do të rrjedhin gjërat.

“Gjithmonë kam mendu që nëse janë më shumë se 80 vota me abstenu, nëse nuk janë nuk dua të jem pengesë për mosvotim. Por, në fund nuk dua të bëhem pengesë e qytetarëve të Kosovës” ka thënë Kelmendi.

Duhet përkujtuar që në seancë munguan 29 deputetë, 80 ishin pro dhe 11 kundër. Ratifikimi i demarkacionit i hap rrugën Kosovës në afrimin e liberalizmit të vizave në zonën Shengen duke mos harruar edhe përmbushjen e kushtit tjetër atë të luftimit të krimit dhe korrupsionit.