16:29 / E Hënë, 30 Prill 2018 / indeksADMonline

Pas vendimit së Kushtetuesës rreth demarkacionit, ky është reagimi i Vetëvendosjes

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ashtu siç kishte bërë në 2013 me Marrëveshjen Thaçi-Daçiq ku 6 pikat e para parashihnin Zajednicën, marrëveshjen vijuese të së cilës në 2015 e paraqiti me 23 shkelje kushtetuese, veproi edhe me rastin e dërguar lidhur me brendinë e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Kështu thuhet në një deklaratë për media të Lëvizjes Vetëvendosje, të postuar në Facebook.

“I sjellim në vëmendje qytetarëve të Republikës së Kosovës se Gjykata Kushtetuese nuk e ka marrë në shqyrtim marrëveshjen dhe nuk ka konkluduar për të. Pra: “TA REFUZOJE njëzëri kërkesën e parashtruesve për të shqyrtuar Marrëveshjen Ndërkombëtare për Demarkacionin e Kufirit Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi pasi që kërkesa nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën dhe kështu jashtë fushëveprimit të juridiksionit të Gjykatës”, thuhet në deklaratë.

Lëvizja Vetëvendosje përkujton se edhe pse paraprakisht gjykata e shpall kërkesën e kësaj partie si të pranueshme,  ajo më vonë konstaton se i mungon juridiksioni ratione materiae.

“Po mos të kishte Gjykata juridiksion ratione materiae atëherë do të duhej ta shpallte kërkesën e tonë si të papranueshme. Kjo përshkruhet shumë qartë në Rregulloren e Gjykatës Kushtetuese, neni 36, Kriteret e Pranueshmërisë”, thekson Vetëvendosje.

Për më tepër, Lëvizja Vetëvendosje konsideron se versioni që Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk ka juridiksion mbi Legjislacionin e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk mjafton dhe nuk ndalon për të shqyrtuar brendinë e tyre nëse ajo bie direkt ndesh me cilindo parim të kushtetutës së Kosovës.

“Bëjmë të qartë pra për opinionin publik se gjyqtarët aktual të Gjykatës Kushtetuese nuk e kanë shpallur në përputhje me kushtetutën Marrëveshjen me Malin e Zi për çështjen e demarkacionit, por nuk kanë guxuar ta interpretojnë dhe gjykojnë përmbajtjen e saj, duke shmangur kështu detyrimin kushtetues që ka përballë mbrojtjes së tërësisë territoriale të Republikës. Njëjtë si me Zajednicën dikur, Gjykata Kushtetuese po e përcjell problemin tek qytetarët duke mos e korrigjuar atë. Ditën kur do të fillojë puna për ta zbatuar atë marrëveshje, do të konkretizohet, materializohet antikushtetueshmëria e saj.

Këta gjyqtarë njëjtë si në 2013 iu bashkuan deputetëve të PDK-së, me Nismën brenda, LDK-së dhe AAK-së për ta cenuar kushtetueshmërinë e vendit tonë për pak siguri pushtetore. Nuk ju eci atëherë, nuk do ju eci as tash”, shkruan Vetëvendosje në Facebook./Indeksonline/