20:42 / E Mërkurë, 31 Janar 2018 / indeksADMonline

Ajri i ndotur, kërkohet mbyllja e shkollave

Gjendja shqetësuese e ndotjes së ajrit në kryeqytet ka bërë që institucionet e Kosovës të marrin masa për përmirësimin e cilësisë së ajrit që këto ditë ka tejkaluar standardet e lejuara.

Për këtë edhe deputetët janë mbledhur me qëllim të propozimeve se si të tejkalohet kjo gjendje. Një nga propozimet në seancë të jashtëzakonshme ishte ndërprerja e procesit mësimor në shkolla e çerdhe deri në përmirësimin e cilësisë së ajrit të ndotur.

E këtë propozim, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e ka përkrahur, në mënyrë që të ruhet shëndeti i fëmijëve.

Rrahman Jashari, kryetar i SBASHK-ut ka thënë për Indeksonline se ky institucion është i shqetësuar për shëndetin e fëmijëve që vijojnë mësimet në kryeqytet.

“SBASHK është i shqetësuar në përgjithësi për situatën në kryeqytet, për shkak të këtij alarmi të ndotjes kaq të madhe dhe aq më shumë është i shqetësuar për shëndetin e fëmijëve. Ne kemi pritur që institucionet shëndetësore dhe MASHT-i të komunikojnë njëri me tjetrin dhe të marrin vendim meritor gjithnjë në shërbim të ruajtjes së shëndetit të fëmijëve, sidomos të fëmijëve të çerdheve dhe të fëmijëve të ciklit të ulët, të klasave me të ulëta që ata edhe ashtu nuk kanë mundësi të bëjnë vet një kujdes të veçantë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se SBASHK mbështetë çdo iniciativë që merret për mbrojtjen e shëndetit të nxënësve nga ky ajër i ndotur.

“SBASHK-u përkrah çdo iniciativë për që do ta marrin institucionet shëndetësore dhe MAShT, e që është në shërbim të shëndetit të nxënësve”, ka shtuar Jashari./Indeksonline/