16:10 / E Martë, 27 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Apeli shqyrton rastin e shpërthimit të bombolave të gazit që la dy të vdekur

Seanca gjyqësore në Gjykatën e Apelit për rastin e shpërthimit të bombolës së gazit në Prishtinë, nga i cili vdiqën dy persona dhe disa të tjerë u lënduan, është shtyrë për shkak se munguan të akuzuarit Muhamet Prapashtica dhe Ahmet Frangu.

Gjatë kësaj seance ka qenë e planifikuar që të shqyrtoheshin ankesat e palës mbrojtëse në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës Themelore.

Sipas Qazim Qerimit, avokat me autorizim i Muhamet Prapashticës, i mbrojtur i tij nuk ka pranuar ftesë për të qenë i pranishëm në shqyrtim gjyqësor.

Po ashtu, avokati tha se klienti i tij përmes telefonit i ka thënë se do të paraqitej në Gjykatë sikur të kishte qenë i njoftuar për mbajtjen e seancës dhe se do të dëshironte që të jetë i pranishëm në këtë shqyrtim.

Më pastaj kolegji i përbërë prej tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit vendosi që në mungesë të këtyre dy të akuzuarve ta shtynte seancën për një datë tjetër në mënyrë që të sigurohej prania e dy të akuzuarve.

Më 15 mars të vitit 2008 në Prishtinë një bombol gazi që shpërtheu teksa po furnizohej një pompë, kishte shkaktuar vdekjen e Bekim Muharremit dhe Ismajl Sadikut dhe lëndimin e Naser Dragushës, Meriton Demirit dhe Abbade Aylew-it.

Afro nëntë vjet pas këtij shpërthimi, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë dhe i kishte dënuar të akuzuarit e këtij procesi, shkruan Kallxo.com.

Muhamet Prapashtica, pronari i kompanisë “M Gas Petrol”, gjatë furnizimit të së cilës shpërtheu bombola, është dënuar me 4 vjet e 10 muaj burg.

Prapashtica në këtë proces gjyqësor akuzohej për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Besnik Sadiku, pronari i kompanisë “P- Gas”, autocisterna e së cilës po furnizonte pompën kur ndodhi shpërthimi, u dënua me 6 muaj burg.

Edhe Sadiku akuzohej për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Ahmet Frangu është dënuar me 1 vit burgim. Ai në kohën e shpërthimit ishte kryeinspektor i tregut, ndërsa Nafije Osmani, inspektore e tregut u dënua me 6 muaj burg.

Frangu e Osmani ngarkoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi ia kishin mundësuar kompanisë “M-Gas Petrol” dhe “P- Gas” të punojnë pa leje.

Seanca e radhës do të mbahet më 9 mars.