13:18 / E Mërkurë, 07 Mars 2018

Austria ka investuar 250 milionë euro në Kosovë

Kompanitë austriake në Kosovë dëshirojnë stabilitet politik, mbrojtje të investimeve, përmirësim të infrastrukturës dhe luftë kundër korrupsionit, ndërsa me tatimin mbi të ardhura dhe me fuqinë punëtore janë relativisht të kënaqura.

Kështu u tha sot nga përfaqësues nga Oda Ekonomike Austriake dhe Oda Ekonomike e Kosovës, me rastin e  prezantimit të barometrit të Ekonomisë së Kosovës-Anketa e bizneseve austriake 2017-18.

Peter Hasslacher nga Oda Ekonomike Austriake, tha se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, si dhe investimet e Austrisë në Kosovë mund të jenë shumë më të larta.

 

“Shkëmbimet tregtare mes Austrisë dhe Kosovës, si dhe investimet e Austrisë në Kosovë mund të jenë shumë më të larta. Shkëmbimet tregtare mes Austrisë dhe Sllovenisë janë 5 miliardë euro në vit. Ndërsa shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Austrisë janë 60-70 milionë euro, rreth 100 milionë euro. Do të thotë ka shumë më shumë hapësirë për bashkëpunim dhe në të dy drejtimet ka hapësirë për më shumë eksporte të Austrisë në Kosovë“, tha ai.

Sipas tij, eksportet austriake në Kosovë janë duke u rritur dhe se sipas anketës del se në përgjithësi zhvillimi ekonomik në vend është i mirë, por që stabiliteti politik mbetet sfidë.

 

”Vlen të theksoj rezultatet janë befasisht të mira. Shumica e kompanive austriakë në Kosovë planifikojnë të kenë qarkullim më të madh në vitin e ardhshme. 50 për qind të të anketuarve planifikojnë investime të reja dhe mbi 40 për qind e të anketuarve planifikojnë të rrisin numrin e punëtorëve në Kosovë. Vlerësimi i gjendjes ekonomike është pozitiv. Shumica shpresojnë dhe janë optimist për përmirësim të ambientit të bërin biznes. Më e mira është se 80 për qind të anketuarve janë deklaruar se do të investonin prapë në Kosovë.  Pyetja se çfarë mund të bëhet më mirë këtu, firmat austriake janë përgjigjur se dëshirojnë stabilitet politik, siguri ligjore një temë shumë e rëndësishme dhe ajo që u përmend më herët janë kualifikimi dhe shkollimi i fuqisë punëtore”, ka thënë Hasslacher.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se Austria është një ndër pesë vendet që në Kosovë ka investuar më së shumti dhe se sipas tij vlera e investimeve kap shifrën 250 milionë euro.

 

“Është një ndër 5 shtete që në Kosovë ka investuar më së shumti. Vlera e investimeve direkt 250 milionë euro. Janë më tepër se 100 firma nga Austria në kapital të përzier që janë në Kosovë. Janë 30 përfaqësi të brendeve “Made in Austria” që janë aktive në Kosovë. Janë mbi 50 milionë euro shkëmbime tregtare mes dy shteteve mike dhe ajo çka është më me rendësi Austria është shteti i pestë nga volumi i investimeve në Kosovë, pas Zvicrës, Turqisë, Gjermanisë dhe kjo na obligon moralisht të bëjmë më tepër“, tha Gërxhaliu.

Po ashtu Gërxhaliu tha se investimet e Austrisë në Kroaci në formë direkte janë afër 8 miliardë euro, investimet në Slloveni janë 8.5 miliardë euro, Bosnjë e Hercegovinë 3.5 miliardë dhe në Serbi janë 5 miliardë euro.

Temat: