10:38 / E Enjte, 24 Maj 2018 / indeksADMonline

Dëshmitari tregon se si djali ish-gjykatëses ia kishte kërkuar 2500 euro për të mos e vuajtur dënimin

Dëshmitari Agim Bajraktaraj, ka deklaruar se djalit të ish-gjykatëses Safete Tolaj, Fisnik Tolaj, ia kishte dhënë 2500 euro, për të mos e vuajtur dënimin me burgim.

Këtë dënim, në kohëzgjatje prej 1 vjet e 6 muaj, atij ia kishte ia kishte shqiptuar Gjykata Themelore në Pejë, por pavarësisht se i kishte dhënë këto para, ai thotë se prapë ishte arrestuar nga Policia, pasi që dokumenti që sipas tij, ia kishte dhënë Fisnik Tolaj, në fund nuk i kishte kryer punë.

Këtë deklaratë, dëshmitari Bajraktaraj, e ka dhënë në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në rastin ku për disa vepra të ndryshme penale po akuzohen, ish-gjykatësja Safete Tolaj, djali i saj, Fisnik Tolaj si dhe zyrtari policor, Granit Shehaj.

Ai thotë se pas shqiptimit të këtij dënimi, në përpjekjet e tij, se si të gjente zgjidhje, kishte dëgjuar prej njerëzve në Deçan, se një person që quhet Fisnik Tolaj, mund të kryente punë në Gjykatën Themelore të Pejës, dega në Deçan.

Dëshmitari Bajraktaraj, ka thënë se me tashmë të akuzuarin Fisnik Tolaj, kishte arritur të kontaktonte fillimisht në telefon, e më pas edhe ishin takuar në Deçan, në vitin 2011.

“Kur i kom tregu se isha dënuar me burgim, Fisi më tha se ‘e kry unë këtë punë se lënda parashkruhet’ dhe për këtë mi kërkoj 2500 euro, por më tha që t’ia sjelli dokumentin që je i dënuar se i duhet numri i lëndës. Unë menjëherë e mora në veturë dhe ja solla. Ja dhashë 1000 euro jashtë kafiterisë së Mehmet Osaj dhe pyeta se a mos është ky dokument fals dhe ai më tha se çdo gjë është në rregull”, ka deklaruar dëshmitari Bajraktaraj.

Ai ka thënë se pas kësaj, atij ia kishte dhënë edhe 500 euro të tjera. “Pas kësaj ja kam dhanë edhe 500 euro tjera në lokalin tim që e kishim në Deçan unë dhe vëllai im, kohë pas kohë ai ka ardhë dhe i ka marrë paret pjesë-pjesë, njëherë vëllai ia ka dhanë, të tjerat ia kam dhanë unë deri është rrumbullaksu shuma 2500 euro”, ka thënë ai.

Bajraktaraj, ka shtuar se kur ia kishte dhënë paratë, Fisnik Tolaj, ky i fundit i kishte thënë atij, se “kjo punë do të kryhet përmes nanës teme”, pasi sipas tij, në fillim thoshte se ai do ta kryente.

Prokurori Rasim Maloku, e ka ballafaquar dëshmitarin Agim Bajraktaraj me deklaratën e datës  31 korrik 2017, të dhënë në polici, ku ai kishte deklaruar se “nuk më kujtohet data dhe koha e saktë po ka qenë pranverë, në vitin 2014, e di që pas 3 ditëve ja kam dhanë vendimin që jam dënuar, ai më ka thanë që për me kry këtë punë duhen 2500 euro, 1000 mi jep tani dhe 1500 tjera pasi te jap aktvendimin”.

Lidhur me këtë, ky dëshmitar është përgjigjur duke thënë se në polici e ka thënë të vërtetën, por që sipas tij, nuk i kujtohet saktë nëse ia ka dhënë 1000 euro atë ditë, apo pas tre ditësh.

“Mua policia më ka arrestu në Deçan, më 31 korrik 2017. Më kërkuan dokumente, unë e thirra vëllaun dhe ma sjelli vendimin, ju  tregova dokumentin që ma kishte dhanë Fisniku, por më thanë se ky dokument nuk është i vërtet dhe ma s’kam pas rast me taku Fisin për me ja kërku paret  e mija”, ka thënë ai.

Në pyetjen e mbrojtësit të ish-gjykatëses Safete Tolaj, avokatit Kujtim Kërveshi, nëse vendimi që dëshmitari po i referohej, e dinte se kush e kishte nënshkruar, Bajraktaraj është përgjigjur se nuk e dinte se kush e kishte nënshkruar atë dokument që ia kishte dorëzuar Fisnik Tolaj, pasi thotë se nuk i kishte lexuar, por sipas tij, pasi që ishte i vulosur ka besuar se është në rregull.

Pyetje ndaj këtij dëshmitari, ka parashtruar dhe e akuzuara, Safete Tolaj. “Që ke dëgju prej njerëzve që Fisi kryen punë, ma thuaj një emër prej atyre”, ka qenë pyetja e ish-gjykatëses Tolaj, derisa dëshmitari është përgjigjur duke thënë se në Deçan flitej se një person me emrin Fisnik, kryente punë në gjykatë, dhe sipas tij, kjo flitej nga çdo i dyti person, duke shtuar se ai nuk mund t’i përmend me emra.

“Sa i përket ndjekjes penale unë propozoj që ligji të zbatohet dhe paraqesë kërkesë pasurore juridike ndaj Fisnik Tolaj dhe të më kthej shumën prej 2500 euro”, ka thënë për fund dëshmitari Bajraktaraj.

Në këtë seancë, dëshminë e tij, e ka dhënë edhe dëshmitari tjetër, Jeton Jahmurataj, zyrtar policor, i propozuar të dëshmoi nga ana e Prokurorisë.

Ai ka deklaruar se njihej me të akuzuarin tjetër, zyrtarin policor Granit Shehaj, pasi atë e kishte koleg dhe se me të kishte punuar në Deçan, deri ne vitin 2016, derisa ishte transferuar në Klinë.

Prokurori e ka pyetur atë nëse e njeh të akuzuarin, Fisnik Tolaj. “Më kujtohet që njëherë e kam shoqëruar Fisin në cilësi të zyrtarit në Gjykatën për Kundërvajtje për një urdhërarrest të lëshuar ndaj tij, dhe isha bashkë me Granit Shehajn, ndërkaq që me Granitin normal që kemi pas raporte kolegiale dhe shoqërore”, është përgjigjur ai.
Të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre nuk kishin pyetje për këtë dëshmitar.

Derisa, është dëgjuar edhe dëshmitari i tretë, Bujar Lekaj, i cili punon si roje-sigurimi në Gjykatën e Deçanit nga viti 2002, i cili kishte dhënë deklaratë në polici dhe prokurori.

Ai ka treguar për rastin kur më 7 janar të vitit 2017, kishte biseduar në telefon me një gjykatës dhe një prokurore të Pejës.

“Atë ditë rreth orës 9 kam shkuar në spital se kam pas termin, e pak më vonë më ka thirrë në telefon gjyqtari Sulltan Dobraj dhe ma kaloj në telefon prokuroren e Pejës, Valbona Gjosi në telefon e cila më ka pyetur rreth derës së zyrës së kryetares, duke më pyet se qysh e kam gjet derën e zyrës. Unë i kam sqaru se ka qenë e mbyllur, por pa çelës”, ka thënë ai.

“Në kohën kur unë kam qenë në ndërrimin e ditës e kam pa që Fisniku ka ardhë në gjykatë dhe ka marrë pjesë nëpër seanca ku kryetarja e Gjykatës, Safete Tolaj, ka marrë pjesë, se në Deçan ka pak gjyqtarë,  kur kanë qenë të hapura, se e kam parë duke kaluar nëpër korridor”, ka vazhduar tutje ai dëshminë e tij.

Mbrojtësi i të akuzuarës Tolaj, avokati Kujtim Kërveshi, e ka pyetur këtë dëshmitar se çfarë i kishte thënë në telefon kjo prokurore, kurse dëshmitari është përgjigjur duke thënë se ”përmes telefonit prokurorja Valbonë më ka pyet se qysh e kam gjet derën, unë i kam treguar se dera ishte e mbyllur, por pa çelës”.

“Unë si punëtor sigurimi s’kam pas kurrfarë njohurish, se ka qenë e ndaluar apo ka urdhëruar dikush që mos të hapen dyert e paradhomës dhe zyrës së Safete Tolajt. Ma vonë e kam kuptu që disa prej kolegëve e kanë ditë që nuk bënë me hy aty, por nuk më kanë treguar se kush i kishte thënë. Por pasi jam kthy ne gjykatë, prokurorja më tha aty se nuk është dashtë me hy, por aty te dera nuk ka pas kurrfarë shenje që nuk banë me hy aty”, e ka përfunduar dëshminë e tij, dëshmitari Lekaj.

Gjithashtu, në seancën e së mërkurës, dëshminë e tij, e ka dhënë edhe dëshmitari i katërt, Valon Ramosaj, i cili po ashtu, punon në Gjykatën e Deçanit, si punëtor sigurimi, nga fundi i vitit 2008, e tutje.

Ai ka thënë se zakonisht palët që hynë në gjykatë i përcjellin deri te personi që duan të shkojnë për ta takuar dhe se monitorimin e brendshëm të objektit e bëjnë përmes kamerave.

Ai deklaroi se Fisnik Tolajn, e njeh pasi kishte filluar punën në gjykatë dhe e di se është djali i ish-gjykatëses Safete Tolaj, kurse Granit Shehaj, tha se e njeh si polic.
Sipas tij, Fisnik Tolaj, nganjëherë ka ardhur në këtë gjykatë.

E pandehura Safete Tolaj, e pyeti këtë dëshmitar nëse kanë funksionuar kamerat e sigurimit në Gjykatë, dëshmitari u përgjigj se ndodhë që nganjëherë edhe nuk punojnë.

“Kur e kam dhanë deklaratën në polici me datën 16 janar 2017, aty policët më kanë pyetur rreth derës dhe unë i kam thënë që porosia ka qenë mos të prekim në zyrën e kryetares”, ka deklaruar ai.

Lidhur me propozimet e palëve në procedurë në plotësimin e provave, trupi gjykues mori  aktvendim të aprovohet propozimi i prokurorit Maloku, që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Agron Ahmetgjekaj, meq trupi gjykues konsideron se dëgjimi i tij në këtë çështje penale do të ndriçonte rrethanat konkrete sa i përket kushteve të bartjes së pronësisë së paluajtshmërisë në emrin e tij, nga pronari juridik, i dëmtuari Agron Kelmendi përmes ndërmjetësimit të të akuzuarit Fisnik Tolaj.

Po ashtu, është aprovuar edhe propozimi për të dëgjuar edhe dëshmitari tjetër, Asman Kryeziu.

Seanca e radhës do të vazhdojë më 30 maj, nga ora 9:30.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, Safete Tolaj, po akuzohet se në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin, përkatësisht për të pandehurin Fisnik Tolaj, ka keqpërdor autoritetin e saj zyrtar.

Sipas aktit akuzues pasi që e pandehura më 2 janar 2017, e kishte caktuar paraburgimin për një të pandehur, derisa i pandehuri Fisnik dhe Granit Shehaj takohen dhe ky i fundit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e tij dhe i jep shumën prej 1,900 euro të pandehurit Fisnik, për të ndikuar tek e pandehura, e cila më pas më 10 janar 2017, masën e paraburgimit e zëvendëson me masën e dorëzanisë.
Tutje në aktakuzës thuhet se e pandehura Safete Tolaj, deri më 13 janar 2017 ka fshehur materialet arkivore të Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Deçan, ashtu që në shtëpinë e të njëjtës janë gjetur dosje origjinale të kësaj gjykate, e të cilat e kishin vendin në arkivin e gjykatës.

Gjithnjë, sipas aktakuzës, e pandehura deri më 13 janar 2017, në gjykatën e lartcekur i ka mundësuar të pandehurit Fisnik Tolaj, përpilimin e dokumenteve dhe shkresave zyrtare ashtu çë ky i fundit duke shfrytëzuar pozitën e të pandehurës dhe me dijeninë e saj, përdor vulën dhe shkresat zyrtare në të cilat fut përmbajtje të rreme.