07:25 / E Premte, 06 Tetor 2017 / indeksADMonline

Dy dështimet e Kosovës në aspektin ndërkombëtar

Pas tërheqjes nga anëtarësimi në INTERPOL, Qeveria e Kosovës para pak ditësh ka hequr dorë edhe nga aplikimi në UNESCO.

Se Kosova i ka votat për t’u bërë pjesë e këtyre dy organizatave ndërkombëtare e kishin thënë për vite me radhë drejtuesit e institucioneve shtetërore të Kosovës. Mirëpo, Kosova tashmë është përballur me dy dështimet e para në aspektin ndërkombëtar qysh prej se Qeveria e re e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë zyrtarisht timonin.

E pavarësisht se ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare i cilësojnë si dështime tërheqjet e tilla, ata thonë se barrën për një gjë të tillë nuk e mban vetëm Qeveria e tanishme, porse edhe qeverisjet e kaluara, si dhe të gjithë ata që kontribuuan për një vakum institucional pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Nga ana tjetër shefi i ekzekutivit, duke folur për mosaplikimin në UNESCO e në INTERPOL, ka thënë se hyrja në votim pa sigurinë e plotë të votës do të ndikonte negativisht në drejtim të Kosovës. Kurse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se Serbia është kujdesur mirë që një gjë e tillë të mos realizohet.