17:28 / E Premte, 26 Prill 2024 / FR

240 të rinj përfitojnë trajnime falas në teknologji informative

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve – Hekuran Murati, menaxheri i projektit Fit for Jobs – Tobias Seiberlich dhe drejtoresha e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës, – Jehona Rexha, takuan sot përfituesit nga skema e kuponëve për trajnim në teknologji informative.

Në kuadër të kësaj skeme, të rinjtë kanë përfituar kuponë trajnimi në fusha të ndryshme të teknologjisë informative nga marketingu, dizajni e deri te programi e rrjetet kompjuterike.

Ministri Murati ritheksoi mbështetjen e qeverisë në ngritjen e kapaciteteve për tranzicion më të lehtë nga edukimi në punësim. Me këtë rast, u shpreh se “nga ana jonë, për ta bërë tranzicionin tuaj më të lehtë për tregun e punës, kemi dedikuar platforma dhe masa të veçanta, si superpuna e Kosovo Generation Unlimited”, njoftojnë nga MFPT.

Tutje bëhet e ditur se nga ana e tij, Tobias theksoi bashkëpunimin e suksesshëm në mes të GIZ-it dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve në zbatimin e një sërë politikash, me qëllim aktivizimin e të rinjve në tregun e punës.

Drejtoresha Rexha ftoi të rinjtë që të regjistrohen në zyret e punësimit në komunat e tyre, ashtu që të mund të përfitojnë nga ofertat e ndryshme nga Agjencia e Punësimit.

Në pjesën e dytë të takimit, të rinjtë patën mundësi të mësojnë më shumë lidhur me masat që ofron qeveria nga këshilltarët e punësimit të APRK-së.