16:19 / E Diele, 24 Qershor 2018 / indeksADMonline

Flet prifti që rrahu vogëlushin gjatë pagëzimit: Nuk është ashtu si duket, unë po e përkëdhelja

Prej disa ditësh në rrjetet sociale dhe Youtube po qarkullon një video e pazakontë që ka shkaktuar një valë zemërimi dhe indinjate tek të gjithë ata që e kanë parë. Në videon amatore, që me siguri është realizuar nga një prej të pranishmëve në sallë, shfaqet një prift i moshuar i cili dhunon një fëmijë të vogël gjatë ceremonisë së pagëzimit. Fillimisht nuk dihej asnjë e dhënë për të, por tani 89-vjeçari është ientifikuar. Ai quhet Jacques Lacroix dhe videoja virale është realizuar më 17 qershor gjatë ceremonisë së pagëzimit të një 2-vjeçari në kishën ”Sainte Medeleine” në Champeaux.  Në pamundësi për ta bërë të pushonte djalin e vogël, prifti i gjuan me shuplakë, madje edhe në momentin që babai i djalit përpiqet ta marrë në krahë, ai nuk e lëshon dhe i ka thonjtë të ngulur në faqen e tij. 

Prifti Jacques për mediat franceze është shprehur se veprimi i tij nuk ishte aq i ashpër sa u bë. “Ishte diçka mes një përkëdhelje dhe një shuplake. Shpresoja që ta qetësoja, nuk dija çfarë të bëja. Fëmija po ulërinte shumë dhe më duhet të ktheja kokën e tij që t’i hidhja ujë. I kërkova që të qetësohej, por nuk e bëri. U përpoqa ta afroja që të qetësohej… doja vetëm të qetësohej. I kërkoj ndjesë familjes së tij. Kam vendosur që ta mbyll shërbimin tim tani, ishte pagëzimi im i fundit. Gjithçka e ka një fund”, është shprehur prifti. Ndërkohë kisha franceze ka marrë masa duke e larguar menjëherë priftin nga të gjitha pozicionet duke mos e lejuar më të marrë pjesë në ceremoni të tilla. Ai mund të vazhdojë të jetë besimtar i devotshëm, por nuk do të ketë funksione.