18:52 / E Martë, 12 Qershor 2018

Haradinaj: Nga ngritja e pagave më shumë përfitojnë gjyqtarët se pushtetarët

Qeveria ka shfuqizuar vendimin e mëhershëm, për pezullim të vendimit për ngritjen e pagave.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha se pas kësaj obligohet Ministria e Financave për ta zbatuar këtë vendim.

Ai shtoi se më shumë se pushtetarët, nga ky vendim përfitojnë gjyqtarët dhe prokurorët.

“Vendimi i Kushtetueses tani është fuqiplotë. Atëherë vetëkuptohet vjen shfuqizimi i pezullimit, sepse ne kemi marrë masë të pezullimit, nuk ka qenë anulim. Tani këto procedurat i zbaton qeveria. Ajo që dua t’ua kujtoj sot dhe mund ta them përnjëmend. A e dini sa është numri i pushtetarëve që përfitojnë nga rritja, por këtu përfitojnë direkt 600 gjyqtarë dhe prokurorë, pra mos harroni sot fitues janë ata dhe ne po flasim për rend dhe ligj. Po zbatojmë ligje të mira, po hartojmë, sot iu ka shkuar përkrahja më e fuqishme organeve të ligjit në këtë rast 600 gjyqtarëve dhe prokurorëve sot i marrin pagat me ngritje”, tha Haradinaj.

Por, ministri i Financave Bedri Hamza tha se kjo çështje duhet të rregullohet me Ligjin për Pagat.

“Është konsensus i përgjithshëm dhe një përkrahje e përgjithshme e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që kjo çështje në përgjithësi të rregullohet me ligj. Me ligjin për paga sepse e dimë që është një sektor, që ka nevojë të rregullohet dhe e besoj që në këtë drejtim jemi duke ecur dhe pastaj kjo e rregullon vetëm një segment të vogël të tërë sektorit publik. Ky vendim të akomodohet brenda ligjit për paga në momentin kur e kemi ligjin për paga. Çështja e dytë duke pasur për bazë që kemi një situate te re juridike nga gjykata kushtetuese, besoj dhe kërkoj që Zyra ligjore e kryeministrisë, e ka shikuar tërë kompleksitetin e kësaj e çështje dhe aspektin legal të kësaj çështje dhe duke përfshirë të gjitha aktet juridike, vendimet që ndërlidhen në këtë çështje dhe vetëm atëherë, kur është siguruar dhe na ka siguruar që kjo çështje gjithçka është e qartësuar e ka procedu ar në mbledhjen e qeverisë. Fokusi jem është që Zyra ligjore e Kryeministrisë i ka shikuar komplet edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe opinionin e Agjencionit Antikorrupsion dhe ligjet tjera. Dua ta besoj që këta e kanë trajtuar me korrektësi dhe nuk e kanë lëshuar ndonjë çështje të pa trajtuar”, tha ai.

Por Haradinaj kërkoi nga ministri Hamza që ta zbaton vendimin e Qeverisë.

“Ministër Hamza, kuptohet që ligji do të jetë zgjidhja për të gjithë. Dhe sa më shpejt që ligji do të arrijë me qenë në fuqi e zgjidh këtë dhe të gjitha aspektet tjera. Deri atëherë kërkoj nga ju ministër që ta zbatoni vendimin e qeverisë“, tha ai.

Qeveria po ashtu ka marrë vendim që drejtori i AKI-së, zëvendësi i tij dhe kryeinspektori, pas përfundimit të mandatit, të marrin 70 për qind të pagës, për një periudhë 5-vjeçare.

Haradinaj tha se kjo duhet të bëhet, pasi që personat në fjalë, kanë informata të rëndësishëm dhe se ka rrezik që ato t’i ekspozojnë.

“Paga e drejtorit të AKI, zëvendës drejtorit dhe kry inspektorit pas përfundimit të mandatit, do të jetë në vlerë të 70 për qind të pagës së plotë, që kanë marrë gjatë muajit të fundit të mandatit të tyre. Kjo e drejtë iu njihet për pesë vite pas përfundimit të mandatit. Kemi pasur raste deri tash kur është liruar drejtori, ose e ka ndërpre mandatin. Megjithatë ai është një arkive e informatave. Bankë e informatave. Është rrezik më i ekspozuar sidomos këto tri pozicionet e para. Kosova me i lënë te pambuluar të pambrojtur në rast se nuk janë në pune. Pra, rrezikojmë shumë. Është mirë që Kosova në kuadër të obligimeve që u jep atyre, në ruajtjen e sekretit të punës, t’i marrë në mbulesë për një kohë të caktuar disa vjeçare, që është praktikë që e bëjnë të gjitha vendet e botës”, tha ai.

Qeveria po ashtu ka miratuar Projektligjin për kompetencat e zgjeruara, të konfiskimit të pasurisë.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se kjo dëshmon që Kosova nuk mund të tolerojë më përfitime nga veprat penale.

“Barra e provës në këtë Projektligj, kalon nga prokurori tek i dyshuari, përmes një sistemi proporcional, ku prokurori duhet të dëshmoi se pasuria e listuar për verifikim, është pasuri e të pandehurit. Ndërsa i pandehuri duhet të dëshmojë që atë pasuri e ka përfituar me burime të ligjshme dhe të ofrojë prova në të kundërtën, ajo do të konfiskohet me vendim gjykate. Kjo shënon gatishmërinë tonë për të dëshmuar që Republika e Kosovës dhe shoqëria jonë nuk mund të tolerojë më përfitime nga veprat penale”, tha ai.

Kryeministri Haradinaj tha se kjo i vë në pozitë më të vështirë, ata që kanë krijuar pasuri në mënyrë të paligjshme.

“Është bërë një zgjerim i kompetencave. Është praktikë e BE-së, është standard ku barrën me dëshmuar a është prona e ligjshme, apo e paligjshme, për të pandehurin në këtë rast e ka Prokuroria. Kësaj here kjo barrë i është bart të pandehurve apo të akuzuarve që është më problem . Pra i qet në pozitë më të vështirë, ata që kanë krijuar pasuri të paligjshme, ose që dyshohen për të. Sot qeveria e aprovoi. Ky është një hap përpara. Ky është një zhvillim i ri në Kosovë që e bën një diferencë të madhe, pikërisht në këtë temë”, tha ai.