11:50 / E Martë, 07 Gusht 2018 / indeksADMonline

Injorohet gjuha shqipe, në ditarët e klasave boshnjake të Prizrenit (Foto)

Ndonëse është gjuha e komunitetit shumicë dhe gjuha kryesore zyrtare e shtetit të Kosovës, gjuha shqipe është injoruar në përdorimin e saj, në paralelet që mësojnë në boshnjakisht.  Kështu së paku ndodh në shkollën më të madhe të mesme të lartë të Komunës së Prizrenit, në gjimnazin “Gjon Buzuku”, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Në këtë shkollë, që ka rreth 2.300 nxënës, mësimi zhvillohet në tri gjuhë mësimore të komuniteteve të këtushme. Përpos shqipes, mësimi zhvillohet edhe në gjuhën boshnjake dhe turke.

Por, duket se gjuha shqipe nuk e ka tretmanin e duhur në librat e klasës, apo ditarin që mban shënimet e paraleles gjatë një viti shkollor,  për nxënësit që mësojnë në gjuhën boshnjake. Në to, tek rubrika që ka të bëjë me përshkrimin e lëndëve mësimore,  gjuha shqipe radhitet e katërta në fushën programore:  Gjuhët dhe komunikimi.

Së paku kështu ka qenë në dy vitet e fundit shkollor. Ajo radhitet pas boshnjakishtes si gjuhë amë për komunitetin përkatës, ndërsa para saj vijnë edhe anglishtja, dhe një gjuhë tjetër e huaj, të cilën shkolla mund ta zgjedh si gjuhë të dytë të huaj, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Derisa kjo ndodh me paralelet me mësim në këtë gjuhë, në ato që mësimin e zhvillojnë në  turqisht, ka një rangim tjetër.  Shqipja këtu radhitet si gjuhë e dytë, pas turqishtes, që llogaritet si gjuhë amtare.

Në këtë rast, duhet marrë shembull vendet e rajonit, të cilat kanë komunitete. Shtrohet pyetja në çfarë pozite rangohen gjuhët zyrtare shtetërore, në Serbi, Maqedoni, apo gjetiu, aty ku mësimi lejohet për nxënës të komuniteteve të tjera. A lejohet një gjë e tillë në këto vende?