22:01 / E Enjte, 07 Qershor 2018 / indeksADMonline

Ja kur do të procedohet në Kuvend Ligji për punëtorët e arsimit shqip në vitet e 90-ta

Projektligji për Statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990-91 deri në vitin shkollor 1998/99 ka kaluar në lexim të parë në Kuvend. Pas kësaj, shumë shpejt pritet që të procedohet për votim në legjislativ.

Nënkryetarja e  Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Invovacion dhe Ndërmarrësi, Teuta Haxhiu ka treguar se kur pritet të shkojë për votim Projektligji në fjalë në Parlamentin e Kosovës.

Sipas saj, janë vetëm edhe dy ligje që kanë mbetur t’i kryejnë për të proceduar tutje me Ligjin për arsimtarët e viteve të 90-ta në mënyrë që të bëhet i zbatueshëm.

“Ligji për punëtorët e viteve të 90-ta ka kaluar në leximin e parë në Kuvend. Është përcjellë prej Komisionit me vota anonime në komision së pari, pastaj është përcjellë për në Kuvend dhe në Kuvend ka marrë votat e gjitha subjekteve politike, diku 70 vota. Tani ne si komision i kemi edhe dy Ligje përpara, që nënkupton Ligjin për Inspektoriatin dhe Ligji Inovacion e Shkencë. Menjëherë pas këtyre është Ligji për Punëtorët e viteve të 90-ta të Arsimit Shqip që nënkupton se kjo është në duar të deputetëve të komisionit, mirëpo besoj që jemi dakordu edhe me Ministrinë që me u mbledh dhe me organizu dëgjime publike”, është shprehur Haxhiu për “Indeksonline”.

Më tej, deputetja Haxhiu tha se ky projektligj me votat e të gjitha subjekteve politike ka treguar se nuk është politik  por thjeshtë është sfidë e Qeverisë që e ka sjellë pas kërkesave të vazhdueshme të subjekteve politike.

“Ne si shtet duhet që ta njohim gjithë atë punë që ka ndodhur gjatë viteve të 90-ta kur Arsimi Shqip e kanë mbajtur të gjithë ata punëtorë të arsimit”, ka përfunduar ajo.

Kujtojmë, se Kuvendi ka miratuar para disa jave shqyrtimin e parë të projektligjit për Statusin e arsimtarëve nga viti shkollor 90-91 deri në vitin 98-99. Ky projektligj mori pëlqimin nga 71 deputetë, 1 kundër ndërsa kishte 2 abstenime.

Ndryshe, SBASHK tash e disa kohë ka kërkuar që mësimdhënësve që kanë punuar në këtë periudhë t’iu njihet stazhi i punës, në bazë të së cilës shpaguhet puna e këtyre arsimtarve për kontributin e dhënë asaj kohe./Indeksonline/