21:34 / E Diele, 11 Mars 2018 / indeksADMonline

Koci: Kemi nevojë për EULEX-in, por edhe EULEX-i ka nevojë për reformim

Kanë mbetur edhe pak muaj deri në përfundim të mandatit të misionit të EULEX-it në Kosovë.

Pak kohë para përfundimit të këtij mandati, shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou ka thënë se do të vazhdojnë të përkrahin dhe të asistojnë në raste për Kosovën.

Por ajo ka thënë se ende nuk kanë zgjedhur mënyrën se si do të ndihmojnë Kosovën pas skadimit të mandatit.

“Nuk mund të flas se sa raste kanë mbetur. Ne do ta përkrahim dhe to të asistojmë në raste për Kosovën. Ne, ende nuk e kemi zgjedhur mënyrën se si do ta ndihmojmë Kosovën, pas skadimit të mandatit tonë këtu”, ka thënë ajo ditë më parë.

Ndryshe pothuajse njësoj ishte deklaruar edhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri i cili ka thënë se ende nuk dihet se a do të vazhdohet apo jo mandati i EULEX-it.

Në një prononcim për Indeksonline, avokati, Arianit Koci ka thënë se EULEX-i në një formë është urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Eulexi në një formë është urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Dhe ky mision na ndihmon në ngritjen e kapaciteve tona, me para të taksapaguesve evropian”, ka thënë Koci.

Sipas tij, Kosova ende ka nevojë për të.

“Prandaj, besoj që ende kemi nevojë për të – por në një format tjetër dhe me përgjegjësi monitoruese. Përgjegjësia ekzekutive duhet gradualisht të na kaloj neve”, ka shtuar Koci.

“Deri me tani, marrë në tërësi, Eulexi është një tregim i suksesshëm, edhe pse disa skandale të brendshme, respektivisht individ të pandërgjegjshëm në kuadër të këtij misioni, dukshëm ia kanë zbehur imazhin”, ka shtuar Koci.

Sipas tij kemi nevojë për Eulexin, por edhe Eulexi ka nevojë për reformim.