11:04 / E Shtunë, 15 Shtator 2018 / indeksADMonline

Kompania 147 miliardëshe e interesuar në projekte të energjisë në Kosovë

 Konglomerati Amerikan që botës i dhuroi dy Nobelistë, i vlerësuar në treg me shumën prej 147 miliard dollarësh, është duke garuar për kontratën e ndërtimit të Kosovës së Re.

 Kompania e parë në botë e llojit të vet, General Electric (GE), konglomerati multinacional Amerikan i themeluar në mes tjerash edhe nga Thomas Edison më 1892, me 300,000 persona tëpunësuar, është ndër kompanitë më të shquara Amerikane që ka shprehur interesimin për përfitimin e kontratës së inxhinierisë, prokurimit dhe ndërtimit për projektin e termocentralit të ri Kosova e Re.

 Në vitin 2012 kompania ishte shpallur si kompania e katërt më e madhe në botë nga Forbes Global 2000 deri sa projektet energjetike të kësaj kompanie gjenerojnë 1/3 e gjithë energjisë elektrike në botë. Rreth 90% të pajisjeve të transmetimit të energjisë elektrike në botë janë të teknologjisë së General Electric.

 Vetëm para pak muajsh kompania GE është kontraktuar për te udhëhequr EPC kontratën madhore të 1000 megavatëve për ndërtimin e termocentralit Ostroleka C në Poloni.

 Pak kohë më parë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Contour Global bashkërisht njoftuan mbi procesin e përzgjedhjes fillestare për të siguruar kontraktimin për inxhinierim, projektim, ndërtim dhe mirëmbajtje për projektin e termocentralit Kosova e Re.

 Termocentrali “Kosova e Re” shënon një moment historik për ekonominë e Republikës së Kosovës dhe do të përfaqësojë investimin më të madh të huaj të drejtpërdrejtë në vend. Kjo do të përmirësojë stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, duke i dhënë fund humbjeve prej 415 milionë dollarë në vit, të shkaktuara nga furnizimi i paqëndrueshëm i energjisë në Kosovë.

 Kompanitë më prestigjioze ndërkombëtare janë duke garuar në listën e ngushtë, për të përfituar këtë kontratë në mesin e të cilëve edhe General Electric nga Amerika, CMEC, Hyundai dhe një konsorcium ndërmjet kompanive ENKA, Mitsubishi Hitachi Power Systems dhe Tecnicas Reunidas.

 Është e rëndësishme të theksohet se për pjesën e ndërtimit, ofertuesit në fjalë gjithashtu kanë paraqitur propozimet e tyre për markat e ndryshme të shquara botërore të teknologjisë që do të përdoren (turbinat, gjeneratorët, dhe pjesët e tjera elektrike), të tilla si Doosan, General Electric, IHI, Mitsubishi Hitachi Power Systems, Rafako, Siemens dhe Toshiba si dhe shërbime afatgjata të mirëmbajtjes nga Alstom Power Service; General Electric; KEPCO; konsorciumi i KEPS, HPS, dhe OES; dhe një konsorcium i Mitsubishi Hitachi Power Systems, ENKA, dhe Tecnicas Reunidas.