13:13 / E Enjte, 15 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Konfirmon Limaj: Demarkacioni zgjidhet shpejtë

Vizita e kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq duket se ka dhënë rezultatet e synuara.

Kështu ka thënë për Indeksonline, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj i cili së fundi është angazhuar maksimalisht për të gjetur zgjidhjen e kësaj çështje.

“Ky është moment i jashtëzakonshëm, vizita e kryeministrit të Malit të Zi ishte një vizitë historike në Kosovën e pavarur, vizitë e jashtëzakonshme për vendin për thellimin  e  bashkëpunimit mes dy vendeve, ka qenë një vizitë shumë e frytshme”, ka thënë Limaj.

Ai ka paralajmëruar se shumë shpejt do të gjendet një zgjidhje për çështjen e shumëpërfolur, demarkacionin me Malin e Zi.

“Deklaratat e kryeministrit dje treguan përfundimisht dhe qartë se ne po shkojmë drejt një zgjidhje të këtij problemi që do t’i hap rrugë dhe mundësi Kosovës, jam i sigurt që jemi në rrugën e duhur dhe shumë shpejt do ta përmbyllim këtë çështje. Po bisedojmë e po ndihmojmë njëri tjetrin  drejt mundësive dhe perspektiva euroatlantike”, ka thënë Limaj. /Indeksonline/