17:55 / E Mërkurë, 21 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Kurti: Po të mos i nënshtrohej Haradinaj Thaçit, tashmë do ishte rrëzuar Thaçi e jo Kosova

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kujtuar se janë bërë tetë muaj që kur është bërë ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas tij, kjo marrëveshje ishte e padrejtë dhe tradhëtare që Kosovës ia moro 8 mijë e 200 hektarë tokë.

I pari i LVV-së, ka thënë se kryeministri Ramush Haradinaj i është nënshtruar presidentit Hashim Thaçi 8 muaj më parë.

Kurti ka përmendur faktin se Mali i Zi ka nisur të abstenojë në disa forume ndërkombëtare ku duhet vota në mbështetje të Kosovës, siç bëri në asamblenë e ENSTO-së.

“Me “demarkacionin Meha” me Malin e Zi ka marrë n’thu shteti i Kosovës, integriteti territorial dhe institucional i tij, dhe tash rrezikon të rrëzohet përdhe. Më 21 mars 2018, shpëtoi Thaçi si nënshkrues i faljes së 8.200 hektarëve, dhe e fitoi fuqinë politike për pazare territoriale me Vuçiqin. Po të mos i nënshtrohej Haradinaj Thaçit para tetë muajsh, tashmë do të ishte rrëzuar Thaçi e asnjëherë Kosova.”, ka shkruar ai mes tjerash.

Shkrimi i tij i plotë:

Sot u bënë tetë muaj nga ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, një marrëveshje e padrejtë dhe tradhtare që ia mori Kosovës 8.200 hektarë të cilët na takonin sipas të gjithë dokumentave paraprakë dhe sipas argumentëve të shkencëtarëve e studiuesve.

Që Kosova i humbi 8.200 hektarë e pranuan mandej edhe partizanët e kësaj marrëveshjeje, të cilët më vonë deshën ta mbështesin pikërisht te ky precedent idenë e marrë të Thaçit për t’ia dhuruar Serbisë veriun e Kosovës.

Por që Kosova humbi tokën e saj e pranoi dhe vetë kryeministri Haradinaj, i cili më përpara kishte protestuar bashkë me ne kundër këtij demarkacioni. Haradinaj megjithatë i bëri thirrje partisë së vet që ta votojnë demarkacionin, sepse shumë shpejt do të bëhej korrigjim i kufirit dhe Çakorri, Bjelluha e Kulla e Zhlepit do t’i ktheheshin Kosovës. Ne ua thamë në sy atëherë – kjo ishte rrenë. Megjithatë ata përmes mashtrimit të deputetëve dhe dhunës së shumicës së montuar parlamentare, e kaluan këtë marrëveshje tradhtare.

Ku është korrigjimi tani? Do të niste pas pak kohësh, por ja ku u bënë tetë muaj!

Si të mos mjaftonte kjo, Mali i Zi ka nisur të abstenojë në disa forume ndërkombëtare ku duhet vota në mbështetje të Kosovës, siç bëri në asamblenë e ENTSO-së.

Me “demarkacionin Meha” me Malin e Zi ka marrë n’thu shteti i Kosovës, integriteti territorial dhe institucional i tij, dhe tash rrezikon të rrëzohet përdhe. Më 21 mars 2018, shpëtoi Thaçi si nënshkrues i faljes së 8.200 hektarëve, dhe e fitoi fuqinë politike për pazare territoriale me Vuçiqin. Po të mos i nënshtrohej Haradinaj Thaçit para tetë muajsh, tashmë do të ishte rrëzuar Thaçi e asnjëherë Kosova.